Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën plenare të Kuvendit, ka thënë se për shkak të neglizhencës së Qeverisë në 87 për qind të shtëpive në Kosovë është duke u vjedhur energjia elektrike.
“Sot derisa ne po flasim në rreth 87 për qind të shtëpive është duke u vjedhur energjia dhe nga kush, nga shteti, për mungese dhe neglizhencë të kësaj qeverie për t’i konstatuar që njehsorët në shtëpitë tona nuk janë duke e llogaritur energjinë e shpenzuar saktë”, ka deklaruar Lushaku.
Lushaku ka kërkuar që Qeveria të mos e lejojë largimin e njehsorëve, pasi sipas saj kjo po bëhet për të fshehur vjedhjen.
“Ne qe 6 vjet jemi të vjedhur. Kemi kërkuar përgjegjësi. Dolën në konferencë si KEDS-i si Ministria dhe e konfirmuan pasaktësinë dhe shqiptuan disa gjoba. Kjo është e papranueshme. Si LDK kemi ofruar provat tona dhe sot nga Kuvendi kërkojmë që Qeveria të mos e lejojë ndryshimin e njehsorëve nëpër shtëpi për ta fshehur vjedhjen. Paratë t’u kthehen cent më cent qytetarëve”, ka shtuar Lushaku.
