Ruçi: Rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë

Ruçi: Rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, pas takimit me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, ka thënë se Shqipëria vlerëson dakordimin për takimin e parë të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.

Ruçi, gjatë fjalimit para mediave tha se rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

“Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që përfundon me njohjen e të dy vendeve. Është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata amerikane dhe vetë presidenti Biden në këtë proces. Është premtues fakti që si SHBA dhe BE nuk kanë dallim qëndrimesh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këtë e dëshmoi edhe vizita e përbashkët e Palmer dhe Lajçak në Kosovë”, tha Ruçi.

Ruçi theksoi se Kosova i ka të gjitha arsyet dhe mundësitë që të jetë një partner më i besueshëm se Serbia në raport me partnerët tanë strategjik.

“Pa SHBA-të dhe BE-në në këtë proces gjithçka është më e rrezikshme dhe e vështirë për Kosovën”, u shpreh kryeparlamentari Ruçi.

Duke folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Ruçi theksoi se Shqipëria vlerëson shumë qëndrimin dinjitoz të ish-drejtuesve të institucioneve dhe ish-drejtuesve të UÇK-së dhe gatishmërinë për t’i dalë ballë drejtësisë dhe për të zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit nga krimet dhe gjenocidi serb.

Related Articles