Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të martën viziton Kosovën, takohet me Osmanin e Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të martën viziton Kosovën, takohet me Osmanin e Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën të martën, kanë konfirmuar nga NATO, raporton Gazeta Enigma.

“Më 11 mars 2025, Këshilli i Atlantikut të Veriut, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, dhe Zëvendës-Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, znj. Radmila Shekerinska, do të vizitojë KFOR, misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë, dhe Ekipin e Këshilltarëve dhe Lidhësve të NATO-s (NALT)”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim, bëhet e ditur se sekretari Rutte do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Ata do të zhvillojnë një shkëmbim mendimesh me drejtorët e misioneve të Bashkimit Evropian, Ambasadorin Aivo Orav dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX), Gjeneral Major Giovanni Barbano, përfaqësuesen e posaçme të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Shefen e Misionit të UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh, dhe Kryetaren e Përkohshme të Misionit të OSBE-së, znj. Cornelia Taylor”, theksohet tutje aty.

Përveç Ambasadorëve nga partnerët që kontribuojnë me trupa në KFOR, Rutte do të takojë edhe komandantin e KFOR-it, gjeneral Major Enrico Barduani, dhe drejtorin e NALT-it, Brigadier General Christian Nawrat.

Vizita e Ruttes vjen disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë por edhe në kohën kur zhvillimet Ukrainë – Rusi janë në kulmin e tyre.

Related Articles