Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, në një intervistë dhënë gazetës “Novosti”, thotë se as Serbia e as Lista Serbe nuk kanë dhënë ultimatum se do t’i braktisin institucionet e Kosovës nëse nuk formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Në pyetjen nëse përfaqësuesit e Listës Serbe i dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri në fillim të vitit ta formojë Asociacionin ose ata do të largohet nga institucionet, Petkoviq tha se nuk flasin me këtë gjuhë.
“As ne dhe as Lista Serbe nuk flasim gjuhën e ultimatumit, ky ishte mesazhi i popullit serb që tre javë ishte në shënjestër të ROSU-së, njerëzve që u qëlluan nga forcat speciale të Kurtit dhe që qëndruan në shi dhe acar për dy javë duke mbrojtur të drejtën e tyre themelore për lirinë e lëvizjes”, tha Petkoviq.
Ai tha se “populli serb është ngopur” për shkak të, siç thotë ai, mosformimit të Asociacionit.
“Populli serb është ngopur me faktin se ka gati nëntë vjet që ka pritur të ushtrojë të drejtat e veta kolektive të përcaktuara në Asociacion, ndërsa në të njëjtën kohë Prishtina tolerohet për të gjitha shkeljet e marrëveshjeve. Lista Serbe e dëgjoi mirë mesazhin e popullit të saj, i cili në zgjedhjet e fundit lokale doli në mënyrë masive në qendrat e votimit, duke i dhënë mbështetje të pandarë dhe absolute përfaqësuesve të tyre”, tha Petkoviq. /Gazeta Enigma.