ShBA aktivizohet, a është Asociacioni çelësi i vetëm që do ta zhbllokonte dialogun

ShBA aktivizohet, a është Asociacioni çelësi i vetëm që do ta zhbllokonte dialogun


Një vizitë që pritet ‘të dridh’ vendin, do të ndodh më 31 janar në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin perëndimor, njëherësh Zëvendës Ndihmës Sekretar (ZNS) i Shtetit, Gabriel Escobar, do të qëndrojnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme, .

Siç ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Lajçak dhe Escobar do të qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë për tre ditë, nga 31 janari deri më 2 shkurt.

“Në Prishtinë, PSBE Lajçak dhe ZNS Escobar do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja”, shkruan në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Lajçak gjatë vizitës së tij në Kosovë do të takohet edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin kufitar që ndan Kosovën me Serbinë, në Mutivodë.

A po përfshihet ShBA në dialog?

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të enjten, deklaroi se pikërisht ardhja e tij në Prishtinë është indikator shtesë se ShBA-ja është e interesuar që dialogu të zhvillohet dhe ripërsëriti qëndrimin se ShBA-ja beson që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja beson se kjo duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohjen e ndërsjellë.  Unë do të punoj për këtë. Mendoj se mund të shihni shenja që edhe partnerët tanë evropianë po bëjnë çdo përpjekje në këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja për të arritur përparim”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket përfshirjes direkte të SHBA-ve në dialog, Hovenier ka thënë se BE-ja është figura që e udhëheq procesin.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë aktive dhe në mbështetje të këtij dialogu.  Ne besojmë që është e duhur që lehtësohet nga BE-ja.  Kjo assesi nuk duhet të kuptohet si tërheqje të Amerikës nga roli udhëheqës.  Gjithashtu është pranim i realiteti që trajektorja afatgjatë e Serbisë dhe trajektorja afatgjatë e Kosovës janë në Evropë.  Ne besojmë që është e drejtë që BE-ja është lehtësuese e këtij dialogu meqenëse ka mundësinë që të ofrojë stimujt për të arritur te kjo marrëveshje për normalizim”, ka thënë ai në një intervistë.

Ai foli edhe për çështjen e Asociacionit dhe u shpreh se një Republika Srpska në Kosovë s’është e dobishme por ai shtoi se duhet të ketë Asociacion por se në çfarë forme duhet të themelohet i takon qeverisë së Kosovës.

Opozita kërkon mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se i gjithë spektri politik në vend, si rrallëherë duhet të jetë unik sa i përket Asociacionit.

Madje ai ka thënë se AAK-ja do të jetë aleat i kryeministrit Kurti, në mbrojtje të sovranitit të vendit. “Kur tani zërat për themelimin e Asociacionit po shtohen, vendit i duhen pozicione të qarta dhe është e nevojshme unifikimi i spektrit politik pozitë-opozitë sidomos në terma nacionale siç ishte kjo me Asociacionin, dhe jo tё kemi arrogancën e pozitës për shkak të numrave, sepse si shtet na presin procese të rëndësishme që do të orientojnë dhe përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha ai.

Ai shtoi se “Partia e AAK-se dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë”, ka theksuar ai.

“Qeveria të mos zmbrapset nga qëndrimi për Asociacionin”

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, i pyetur se çka nënkupton vizita e dy emisarëve në Kosovë, ka thënë se ky takim mund të sjellë në diskutim një Asociacionin me kompetenca ekzekutive, ashtu siç e kërkon pala serbe.

Ai për Gazetën “Enigma”, ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet lejuar assesi nga pala kosovare, e cila duhet t’i qëndroj pas deklarimeve të dhëna.
“SHBA dhe BE e përkrahin themelimin e një lloj Asociacioni serbe në mes të Kosovës me 33% territor të Kosovës dhe me 10 komuna serbe , por kjo çështje nuk duhet të pranohet në asnjë mënyrë nga pala kosovare”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket zhbllokimit të dialogut me vizitën e emisarit të BE-së dhe atij të SHBA-ve, Burjani ka thënë se kjo gjë është vështirë e arritshme në situatën aktuale.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. / Gazeta Enigma.

Related Articles