Nga liderët presim qasje në frymë konstruktive, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit në lidhje takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kanë thënë nga DASh për Zërin e Amerikës.
DASh thekson rëndësinë që Prishtina dhe Beogradi të përdorin bisedimet për të shprehur zotimet e tyre për një të ardhme paqësore për rajonin, me synim përfundimtar – njohjen e ndërsjellë.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihen përmes njohjes së ndërsjellë si synim përfundimtar. Progresi në dialog do të hap dorë për integrimin në BE dhe është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.
Serwer për Insajderin: Nuk shoh se si Kosova do ta bënte Asociacionin pa marrë paraprakisht njohjen “de facto”
Pyetur se a mund të ketë një kapërcim të rëndësishëm drejt një marrëveshje në takimin e së hënës, DASh shprehet e inkurajuar që Kosova dhe Serbia kanë pranuar propozimin e BE’së.
“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë kushtet për kualifikimin e serbëve të Kosovës dhe atë pa vonesa. Marrëveshja e Brukselit përcakton integrimin e serbëve të Kosovës në institucione. Ne plotësisht mbështesim këto marrëveshje dhe zbatimin e vazhdueshëm të tyre”, thuhet në përgjigje, raporton Insajderi.
Kur bëhet fjalë për refuzimin e mundshëm të dokumentit, versioni zyrtar i të cilit ende nuk dihet për opinionin, Departamenti i Shtetit nuk ka folur për pasojat e mundshme nëse palët refuzojnë ose humbasin mundësinë që iu është paraqitur.
“Është më e rëndësishme të flasim për mundësitë: propozimi paraqet mundësi për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor në një kohë kur Evropa po përballet me krizën më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore”.
“Siç është treguar tashmë nga Bashkimi Evropian – pranimi i marrëveshjes do të përshpejtojë përparimin e të dy vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjithashtu do të avancojë qëllimet tona kryesore për rajonin e Ballkanit Perëndimor – duke përfshirë arritjen e paqes, stabilitetit dhe përparimit për të gjithë. popujve”, përfundonte përgjigja me shkrim e Departamentit të Shtetit.