Jo rrallë herë gratë në tregun e punës në Kosovë përjashtohen, por edhe kur pranohen, paguhen më pak se burrat, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse statistikat e fundit tregojnë se shkalla e punësimit gjatë vitit 2020-21 ishte për 28.7% më e lartë për burrat në krahasim me gratë, pabarazia shfaqet edhe më shumë kur flitet për pagat mes burrave dhe grave.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit për vitin 2020-21 ishte 28.4%, teksa shkalla e punësimit ishte më e lartë për burrat se sa për gratë, ku 42.8 % të burrave në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 14.1 % të grave në moshë pune, thuhet në raportin e ASK.
Sa i përket kategorisë së punësimit, pothuajse shumica e grave të punësuara gjatë vitit 2020 ishin profesioniste, me 33.4 %.
Bazuar në raportin e ASK, gratë mbeten me paga më të ulëta se sa burrat, pavarësisht faktit, se një pjesë e madhe e tyre janë profesioniste në sektorin e punësimit.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga shumica e pagave mujore neto për vitin 2020 që ishin midis 400 € deri 500 €, ‘janë vërejtur dallime të vogla gjinore, me një tendencë të lehtë që burrat të marrin paga më të larta’.
Nga raportet e ASK, vërtetohet gjithashtu se edhe shkalla e papunësisë ishte më e lartë për gratë se sa për burrat.
Diskriminimi dhe margjinalizimi i grave në tregun e punës
Aktivistja për të drejtat e grave, Liridona Berisha, në një përgjigjie për Gazetën Enigma, ka thënë se diskrepanca në paga midis burrave dhe grave në Kosovë i kontribuon margjinalizimin dhe diskriminimit në shoqëri.
“Sa i përket pabarazisë së pagave në aspektin gjinor, është vërejtur në sektorin privat, pa u ofruar ndonjë arsye e bazuar për dallimet që ekzistojnë për punën e njëjtë. Ekspertiza dhe përvoja është diçka që përmisohet me kalimin e kohës, por jo diçka që mund ta arsyetoj pagën e pabarabartë për punën e njëjtë, nëse brenda kompanisë nuk ofrohen mundësitë e njëjta për zhvillim dhe ngritje në karrierë. Kjo vetëm se i kontribuon rritjes së diskriminimit dhe margjinalizimit të grave dhe vajzave në tregun e punës”, ka deklaruar Berisha.
Tutje, Berisha e pyetur nëse janë evidentuar raste kur për pozita të njëjta dhe me kualifikime të njëjta, një burrë merr pagë më të lartë se një grua, është përgjigjur se një gjë e tillë është evidente.
“Në bazë të raporteve jozyrtare të para nga puna e përditshme, duket se ekziston si dukuri në tregun e punës”, tha ajo.
Gratë s’kanë adresë ku të ankohen kur ju shkelen të drejtat
Një aspekt me rëndësi kur grave ju shekelen të drejtat në vendin e punës, është raportimi i tyre. Por, sipas Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, në rast të pabarazisë gjinore në punë, ato s’kanë adresë të saktë ku të ankohen.
“Në sektorin publik kjo çështje rregullohet me kontratë dhe, në rast se nuk përmbushen kushtet e kontratës ka adresa ku kërkohen të mbrohen të drejtat apo diskriminimi eventual në baza gjinore. Ndërsa, në sektorin privat kemi një situatë tjetër për faktin se edhe nuk përmbushen kushtet e kontratës. Ankimimi thuaja është i pamundur për faktin se Inspektoriati i Punës nuk ka kapacitete t’i mbulojë të gjitha rastet, madje mbulimi i rasteve është thuaja simbolik”, ka potencuar Shala për Gazetën Enigma.
Kujtojmë se në lidhje me pabarazitë gjinore, Qeveria e Kosovës, në vitin 2020 kishte miratuar “Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024”, që përfshinë edhe fuqizimin ekonomik të grave. /Gazeta Enigma