Shqipëria korridor vetëm me Kosovën, lidhjet me shtetet e tjera mbesin në letër

Shqipëria korridor vetëm me Kosovën, lidhjet me shtetet e tjera mbesin në letër

Shqipëria padyshim që është një ndër vendet turistike me të frekuentuara, sidomos viteve të fundit. Por turizmi nuk është arsyeja e vetme se pse vizitohet ajo, shkruan Gazeta Enigma.

Shqipëria është “nëna” e çdo shqiptari, dhe vendi ku shumica e shqiptarëve, sidomos i vendeve fqinje vendos t’i kalojë pushimet atje.

Por, shtrohet pyetja se sa ka bërë Shqipëria për t’i afruar shqiptarët e vendeve fqinje, për ta pasur më të lehtë shkuarjen atje.

Shqipëria aktualisht ka miratuar, e filluar disa projekte që lidhin vendin me vendet fqinje.

Lidhja e Shqipërisë me Kosovën – Taksa 5 euroshe i ndan dy shtetet

Kosova është ndër vendet më të lidhura me Shqipërinë. Rruga e Kombit është një ndër projektet më të rëndësishme të një autostradë katërkorsishe e cila filloi ndërtimin në vitin 2006 dhe u bë e kalueshme për automjetet në vitin 2010. Punimet u bënë nga konsorciumi turko-amerikan Bechtel-ENKA dhe një kompani austriake e shqiptare. Autostrada nis pranë Lezhës si SH5/Rruga shtetërore 5, hyn në Kosovë si R7 dhe përfundon pranë kryeqytetit.

E mbiquajtur “autostrada patriotike” projekti lidh shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, duke ndihmuar lidhjet kulturore dhe ekonomike. Është projekti më i madh rrugor shqiptar ndër disa dekada, që kushtoi mbi 1 miliard euro. Përfshin një tunel 6 kilometërsh në Shqipëri, duke bërë më të lehtë udhëtimin dhe tregtinë për qindra-mijëra njerëz që kalojnë pushimet brigjeve të Shqipërisë gjatë muajve veror.

Projekti i kushtoi shtetit dhe taksapaguesve 820 milionë euro.

Në anën tjetër, autostrada e njohur si“Ibrahim Rugova” në pjesën e Kosovës, është përuruar në kohën kur kryeministër i Republikës së Kosovës ishte Hashim Thaci.

Autostrada R7 është e gjatë 129.8 kilometra, duke u bërë kështu, autostrada më e gjatë në vend.

Prej përfundimit të luftës, deri në momentin e ndërtimit të autostradës, kosovarët u desh të udhëtonin në rrugën e vjetër malore, për të shkuar në Shqipëri, rrugë e cila merrte deri në 7 orë udhëtim, për ta kaluar.

Por me kritika të shumta është shoqëruar vendimi i Qeverisë shqiptare për taksën prej 5 euro që i është vendosur kosovarëve që vendosin të hyjnë apo dalin nga Shqipëria. Një taksë të tillë nuk e ka vendosur Kosova, për qytetarët e Shqipërisë.

Lidhja e Shqipërisë me Malin e Zi ende askund, parashihet të ndërtohet vitin e ardhshëm

Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.

Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani, në vetëm disa sosh. Projekti është prezantuat nga kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Shqipërisë, Dritan Abazoviq dhe Edi Rama, gjatë samitit të “Ballkanit të hapur” në Ohër.

Me ndërtimin e urës, Ulqini dhe Velipoja do të jenë vetëm pak kilometra larg. Këto dy zona së bashku kanë rreth 34 kilometra plazhe me rërë.

Lidhja e Shqipërisë me Greqinë ende në horizont

Greqia autostradë drejt Shqipërisë, do ndërtojë nga rruga Janinë-Kakavijë me 4.5 milionë euro kilometri.

Autostrada 70 km e gjatë e cila është paraparë të ndërtohet është një nyje kryesore për flukset turistike dhe do të lehtësojë trafikun mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa një kilometër i saj do të kushtojë 4.5 milionë euro. Ajo është planifikuar për tu ndërtuar me të njëjtat standarde si autostrada  e Kapshticë – Selanik, me dy korsi nga të dyja krahët, për të qenë një rrugë e nivelit A1 me pagesë.

Nga Korridori Blu edhe në Shqipëri kalojnë rreth 315 km nga pika kufitare në Muriqan deri në lidhjen me Kakavijën.

Momentalisht Ministria e Infrastrukturës ka hapur fazën e tenderimit për akset nga Miloti në Fier. 

Pritjet shumëvjeçare për lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë Veriore

Lidhja e këtyre dy vendeve parashihet të jetë rruga e shumë premtuar “Rruga e Arbërit”, e cila ende nuk ka përfunduar tërësisht pavarësisht punimeve disa vjeçare.

Rruga e Arbrit, vetëm 75 kilometra e gjatë, do të lidhë Tiranën me Dibrën e Madhe (Maqedoni). Rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 km/orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore, edhe se përgjatohet ose ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra. Zonat ku kalon Rruga e Arbrit fillimin e saj e ka në qendrën e Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, vijon nëpër qytet përgjatë Rrugës së Dibrës për të arritur në Brar dhe kaluar shkallën e Tujanit, luginën e bukur të Brarit, në luginën e ngushtë e të thellë të malit të Dajtit, me kanionet mahnitës të ngushtë e të thellë. Rruga përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës nga ana e Tiranës, duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura malore të Xibrit e Gurit të Bardhë, në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës dhe pasi kalon luginën e Planit të Bardhë dhe tunelin e Qafës së Buallit, del në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit deri sa del në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës dhe për të vazhduar deri në Dibër të Madhe. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles