Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, sot do të mblidhet, ku edhe pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë optimistë se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës në muajin maj, ndërkaq lajme pozitive presin edhe nga opozita dhe shoqëria civile.
Për mbledhjen është deklaruar edhe kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla nga Nju Jorku.
Gërvalla ka deklaruar se nëse ka kuorum raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet.
“Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet” ka thënë Gërvalla, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me njohësin e çështje ndërkombëtare, Amir Shabanin, i cili ka deklaruar se Kosova ka mbushur kriterin kryesor kur i dha tokë të diskutueshme manastirit serb javën e kaluar.
“Raporti i fundit nga KiE duket se jep një përgjigje pozitive ndaj ofertës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi Kosova përmbushi kriterin kryesor kur i dha tokë të diskutueshme një manastiri ortodoks serb javën e kaluar”, tha Shabani.
Tutje ai ka shtuar se “duke folur për një fushë tjetër të mosmarrëveshjes, Asociacionin e planifikuar të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kosova ende nuk e ka zbatuar, raporti e konsideroi atë një hap të rëndësishëm dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Por shtohet se themelimi i një asociacioni ndër-komunal nuk është një kërkesë sipas standardeve të Këshillit të Evropës”.
Shabani ka theksuar se dëbimi i Rusisë i ofroi mundësinë Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në KiE.
“Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Vendimi u mor pasi më 16 mars 2022, Rusia u dëbua pas pushtimit të Ukrainës. Kështu që, mendoj se kjo i ofroi një mundësi Kosovës që të anëtarësohej pasi, pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare e njohin Kosovën, numri i kërkuar për miratimin e anëtarësimit. Në mars të vitit 2023, Këshilli i Evropës votoi për dërgimin e aplikacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të organizatës”, tha Shabani për “Enigmën”.
Sipas tij “të gjithë anëtarët e KiE kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatimi i së cilës mbikëqyret nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kosova e ka konventën të përfshirë në Kushtetutën e saj, megjithatë qytetarët e saj ende nuk mund të dërgojnë ankesa në Gjykatë”.
“Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, votoi kundër anëtarësimit të Kosovës”
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare ka thënë tutje se ka bindjen se Kosova do ta merr dritën jeshile për anëtarësim në Këshillin Evropian.
“Andaj, kam bindjen se Kosova do merr dritën jeshile për anëtarësim në KiE dhe se është e një rëndësie të veçantë të votohet pro këtij raporti të Kosovës. Standardet e raportit janë të mira, më herët ishte problematike çështja e manastirit, ndërsa tani ka një zhvillim pozitiv edhe nga vëzhgimi i Këshillit të Evropës”, theksoi Shabani.
“Tre liderët e institucioneve të Republikës së Kosovës përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bakoyanis, u zotuan se do t’i zbatojnë të gjitha vendimet e marra nga dialogu i Brukselit, përfshirë edhe Asociacionin”, përfundoi ai.
Optimiste është shprehur edhe deputetja e PDK-së, njëherësh anëtare e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ariana Musliu-Shoshi.
“Kosova si shtet demokratik, në çdo hap të saj, nga viti 1999 ka qenë dhe është e përkushtuar në rrugëtimin dhe integrimin euroatlanik. Shpallja e pavarësisë, miratimi dhe mbikqyrja e zbatimit të ligjeve, ndërtimi institucional, respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat e minoriteteve, zhvillimi i demokracisë janë dëshmi që Kosova është meritore të jetë pjesë e familjes së Këshillit të Evropës. Si PDK kemi merita të mëdha në proces drejt integrimit në Këshill të Evropës dhe i gëzohemi anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë”, tha Musliu-Shoshi për “Enigmën”.
Për raportin e Kosovës në Këshillin Evropian u deklaruar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Trime Kadriaj, e cila tha se besoj shumë se sot ky raport e merr dritë jeshile.
“Kosova e meriton sepse e vetmja rrugë e Kosovës është rruga e integrimit evropian. Besoj fuqishëm që sot ky raport e merr dritën jeshile!”, tha Kadriaj për “Enigmën”.
Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022. /GAZETA ENIGMA/