Për 4 muaj në Kosovë janë raportuar 41 raste që nga Policia e Kosovës janë cilësuar si “sulme seksuale”, dhe“ngacmime seksuale, raporton Gazeta “Enigma”.
Nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, për Gazetën “Enigma”, kanë bërë të ditur se deri më 30 prill të këtij viti, janë raportuar 20 raste të ngacmimeve seksuale, si dhe 21 raste janë cilësuar si “sulme seksuale”.
Ndërsa, vitin e kaluar, në total ishin raportuar 104 raste, 48 prej tyre ishin kategorizuar si “ngacmime seksuale”, kurse 56 si “sulme seksuale”.
Tutje nga PK-ja kanë theksuar se “Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi me qëllim parandalimi”. “Të gjitha rastet në Policinë e Kosovës evidentohen sipas kodit penal dhe në kuadër te rajoneve dhe stacioneve policore përveç zyrtarëve të rregullt patrullues kemi edhe njësitet e hetimeve të cilat merren me trajtimin respektivisht hetimin e rasteve te ndryshme duke përfshirë edhe rastet qe ndërlidhen me integritetin seksual e që janë të specifikuara sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë kujtojmë se në Kosovë vetëm ditëve të fundit është raportuar për dhjetëra raste të “ngacmimeve” dhe “dhunës seksuale”. Një prej tyre madje ka përfunduar në mënyrë tragjike. /Gazeta Enigma.