Si të përgatitemi për ngasje gjatë dimrit? – Policia jep detaje për “Enigmën”

Si të përgatitemi për ngasje gjatë dimrit? – Policia jep detaje për “Enigmën”

Nga data 15 nëntor fillon sezoni dimëror për automjetet sipas ligjeve të qarkullimit rrugor, shkruan Gazeta “Enigma”.

Të gjithë drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të sigurohen që automjetet e tyre janë të pajisura me mjetet e nevojshme dimërore, përfshirë zinxhirët apo gomat e dimrit.

Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të rezultojë në gjoba të larta apo ndalime nga policia rrugore.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të kuptuar se sa po respektohen këto rregulla nga qytetarët, dhe cilat janë mjetet që shoferët duhet t’i kenë me patjetër në automjetet e tyre.

Policia e Kosovës ka deklaruar se me kohë ka paralajmëruar pjesëmarrësit në trafik përmes fushatave vetëdijësuese për rregullat që duhet të ndjekin gjatë sezonit të dimrit dhe me çfarë mund të përballen nëse nuk i respektojnë këto rregulla.

Çfarë saktësisht duhet të kenë shoferët në automjetet e tyre?

“Operatori i pajisjeve nuk mund t’ju shohë dhe dukshmëria juaj është e kufizuar për shkak të reshjeve të dëborës, mbani distancë për sigurinë tuaj. Kontrolloni mjetin tuaj dhe sigurohuni se është në nivel të shërbimit, gjatë kohës me dëborë!”, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Ju duhet të shihni mirë për ngasje të sigurt. Aktivizoni pastruesit e xhamave, mbani ndezur dritat tuaja, kjo ju mundëson të shihni më mirë dhe të jeni më të dukshëm për të tjerët gjatë reshjeve atmosferike. Mos harroni, dritat me rreze të ulëta, shpesh e bëjnë më të lehtë për t’u parë në dëborë të rëndë ose me erë”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Enigmën”.

Tutje Policia ka theksuar rëndësinë e gomove dhe fshesave të xhamave që duhet të përdoren gjatë sezonit dimëror për qarkullim.

“Sigurohuni që gomat tuaja të jenë të parapara për ngasje gjatë dimrit, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, gjatë kohës së ftohët. Vendosni fshirësit e xhamave të cilët rekomandohet të përdoren gjatë kohës me temperaturë të ftohët. Lëngu për pastrimin/fshirjen e xhamave kundër ngrirjes”.

Pos gomave edhe vaji dhe ndriçimi ka një rëndësi të veçantë në procesin e pjesëmarrjes në trafik gjatë dimrit.

“Ndërroni/ndryshoni vajin në makinën tuaj, mbushni motorin tuaj me një vaj me viskozitet më të ulët. Numri para W paraqet viskozitet, kështu që 5w-30 ka një viskozitet më të ulët se 10w-40. Inspektoni të gjitha dritat dhe zëvendësoni çdo llambë të djegur. Lehtëson mënyrën e ngasjes, rrit shikueshmërinë dhe nivelin e sigurisë”, njofton Policia.

Çka duhet të keni me vete në udhëtime të gjata ose malore gjatë dimrit?

“Gjatë udhëtimeve më të gjata apo malore, paketoni disa pajisje të rëndësishme, një çantë e mirë për mbijetesë ka të paktën një batanije, një çantë të ndihmës së parë, jelek reflektues, një brisk, dritë/bateri dore, bluzë/xhemper, litar, lopatë, e gjithashtu mbani një sprej kundër ngrirjes. Në rast të ngecjes në rrugë përdor jelek reflektues, trekëndëshin e sigurisë dhe largoni mjetin tuaj sa më larg nga shiriti qarkullues”, thonë nga Policia për “Enigmën”.

Policia bën thirrje që para se të dilni në trafik të i pastroni të gjitha dritaret dhe pasqyrat nga bora

“Të gjitha dritaret dhe pasqyrat duhet të jenë plotësisht të pastruara për të përmirësuar dukshmërinë, por mos harroni të pastroni kapakun mbi motor, kulmin dhe kapakun tek bagazhi. Kontrolloni filtrat (ajrin, vajin dhe lëndën djegëse), zëvendësojeni ata nëse janë të nevojshëm, kontrolloni rripin e alternatorit (prodhuesit të energjisë), mjeteve iu duhet më shumë energji gjatë kohës së ftohët”, thonë nga Policia për “Enigmën”.

Tutje ata kanë njoftuar se “lëngjet në sistemin e ftohjes kundër ngrirjes. Kontrolloni dhe mbushni ftohësin, sigurohuni që ftohësi juaj të jetë mbushur, kontrolloni radiatorin për rrjedhje. Shumë mekanikë rekomandojnë të përdorni një përzierje 50/50 të lëngut kundër ngrirjes dhe ujit në radiator”.

“Bateritë zakonisht zgjasin tri deri në pesë vjet dhe dështimet janë më të zakonshme në dimër për shkak të rritjes së ngarkesave elektrike të fillimit të ftohjes. Nëse bateria juaj është më e vjetër se tri vjet, këshilloheni ta testoni nga një profesionist”.

Policia e Kosovës dhe fushata vetëdijësuese për pjesëmarrësit në trafik

“Policia e Kosovës me kohë ka paralajmëruar pjesëmarrësit në trafik përmes fushatave vetëdijësuese, publikimit në media dhe rrjete sociale si dhe shpërndarjes së broshurave (në bashkëngjitje) ku janë këshilluar për përgatitje për ngasje gjatë dimrit”.

Mesazhi juaj për të gjithë vozitësit?

“Bazuar në ndryshimin e kushteve atmosferike reshje të shiut e borës dhe ulje të temperaturave, Policia e Kosovës APELON të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferët për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës së sigurisë në mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë e bore”, thuhet në përgjigjen e Policisë. /Gazeta Enigma/

Related Articles