Simmons: EULEX i ka dërguar Serbisë dhjetëra dosje me dëshmi për krime lufte

Simmons: EULEX i ka dërguar Serbisë dhjetëra dosje me dëshmi për krime lufte

Më 3 qershor të këtij viti, një dokument prej 25 faqesh ia ka dërguar ish gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit, lidhur me dëshmitë e tij për skandalet e pretenduara nga ai që janë kryer nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në këtë dokument, të cilin e ka siguruar Gazeta “Enigma”, ish gjyqtari i EULEX, Malcolm Simmon, në dëshmitë e ofruara hedh akuza të rënda kundrejt EULEX-it, duke theksuar se me dhjetëra dosje të krimeve të luftës, ky mision iu kishte dërguar autoriteteve serbe.

“Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi. Kishte hetime lidhur me mizoritë e pretenduara të kryera nga personat e përkatësisë etnike serbe gjatë konfliktit”, thotë Simmons, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Ai thotë se për këto veprime ai ishte në dijeni teksa ishte pjesë e EULEX.

“Para caktimit tim si Kryetar të gjyqtarëve te EULEX-it unë kam qenë dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan tutje Simmons.

Sipas tij, ato dosje përmbanin jo vetëm hollësitë për veprat e pretenduara penale dhe kryerësit e tyre, por përfshinin edhe të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin “viktima të këtyre krimeve” dhe hollësi të dëshmitarëve, shumica prej të cilëve ishin të përkatësisë etnike shqiptarë të Kosovës.

“Këto ishin vepra të kryera në Kosovë kundër qytetarëve të Kosovës nga persona të etnicitetit serb, shumica prej të cilëve ishin po ashtu shtetas të Kosovës. Kërkova nga udhëheqja e lartë e EULEX-it ta sqaronin bazën ligjore për transferimin e këtyre dosjeve dhe e kërkova një listë të rasteve që ishin dorëzuar. Kërkesa ime u refuzua”./Gazeta Enigma.



Related Articles