Ish-kryetari i gjykatësve të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, Malcolm Simmons ka thënë se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me letrën që ai ia ka dërguar para disa javësh, e në të cilën ka listuar një sërë skandalesh që sipas tij e kanë karakterizuar këtë mision ndërkombëtar gjatë detyrës në Kosovë.
Simmons ka shkruar në Twitter se Kurti e ka pranuar letrën e tij që disa javë, por nuk i ka kthyer asnjë përgjigje.
“Zotri Kurti e ka pranuar letrën dhe deklaratën time para disa javësh. Ka pasur shumë komente nga mediat në Kosovë, por asnjë fjalë nga Z. Kurti. Koha do ta tregojë”, ka shkruar Simmons.
Suzana, I am pleased someone is asking questions! Yes, the current government. Mr. Kurti has my statement in which I report rule of abuses, the perverting of justice and the commission of criminal offences. Why has his Government not initiated an enquiry?— Judge Malcolm Simmons (@SimmonsJudge) June 20, 2021
Këto komente Simmons i ka bërë teksa i ka replikuar dikujt që thoshte se Kurti ka detyrë të vështirë për ta ndryshuar sistemin, që sipas saj, ka kultivuar gjykatës që i shërbejnë – siç thotë Kurti – regjimit të vjetër.
Simmons para disa javësh ia ka dërguar kryeministrit Kurti një letër, ku paraqet një pjesë të dëshmisë së tij mbi skandalet që thotë se e kanë karakterizuar misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Mbi këtë bazë, ish-kryetari i gjykatësve të EULEX-it ka kërkuar që të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës për të gjitha dëshmitë e përshkruara.
Përveç që aludon në ndikime politike, bashkëpunim të EULEX-it me Prokurorinë në Beograd, Simmons shpreh dilema edhe për punën e Gjykatës Speciale.
Sa ishte në opozitë, Kurti ishte kundërshtari më i madh i EULEX-it në Kosovë. Ai e cilësonte këtë mision si sundimtar.
“Në njërën anë EULEX-i është dashur t’i arrestoj politikanët kosovarë që kanë vjedhë e zhvatë që nga paslufta. EULEX-i është dashur t’i arrestoj strukturat paralele të Serbisë që operojnë në veri”, shprehej Kurti.
Si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti theksonte se misioni evropian vepronte në përputhje me interesat e Serbisë dhe kësisoj Serbia ishte afruar më shumë me BE-në sesa Kosova.
“EULEX-i ka mbajtur Kosovën jashtë Bashkimit Europian ndërsa ka afruar Serbinë në BE”, deklaronte Kurti.