Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi është deklaruar edhe një herë lidhur me skandalin diplomatik me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge. Bislimi është duke insistuar se në Kosovë deklarata e Berges është keqinterpretuar dhe se ai nuk e ka përgënjeshtruar asnjëherë Bislimin.
Zëvendëskryeministri deklaroi se biseda me të ka qenë produktive dhe një takim i mirë, teksa shtoi se ai nuk është zv.kryeministër i “Twitterit”.
“Mendoj që ecuria jonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës varet nga kualiteti i diskutimit që është bërë në tryezën e diskutimit me z.Berge. Unë nuk jam zv/kryeministër i ‘Twitterit’. Jam zv/kryeministër i Kosovës dhe në këtë kuadër unë bëjë takime dhe i diskutojë detajet. Unë mund të them se prej të gjitha takimeve në Strasburg, takimi më i mirë dhe më produktiv ka qenë me z.Berge. Më duhet të ju përgënjeshtrojë kur thoni që z.Berge ju ka përgënjeshtruar. Ai nuk më ka përgënjeshtruar por vetëm e ka përmirësuar një term. Unë nuk kam thënë se ai e ka pranuar por e ka mirëpritur. Fjala mirëprit është një term që në gjuhën angleze përdoret kur unë ta tregojë një iniciativë dhe ti e sheh me dashamirësi dhe nuk tregon kundërshtim”, deklaroi ai.
Ai tregoi se si ka biseduar sërsish me Bergen pas shpërndarjes së deklaratës në Kosovë.
“Ne nuk thamë që e dorëzuam aplikacionin dhe ai na dha certifikatën që u bëmë anëtarë njëjtë siç nuk kemi thënë që e kemi siguruar anëtarësimin. Veç kemi thënë e ka mirëprit. Kam biseduar të nesërmen me z.Berge dhe ka shpreh keqardhje për keqinterpretimin që i është dhënë tek ne sepse ka qenë vetëm katër persona që e kanë zmadhuar këtë problem por s’po përmendi emra”, tha ai.
Ditë më parë, Berge e ka demantuar Besnik Bislimin lidhur me përmbajtjen e bisedave në takimin e në fillim të muajit mars të zhvilluar në Strasburg.
Berge i ka reaguar zv.kryeministrit Bislimi për takimin, meqë në një postim në ‘twitter’ Bislimi kishte thënë se Berge ka mirëpritur aplikimin e mundshëm të Kosovës në Këshill të Evropës.
Norvegjezi ka deklaruar se ajo çfarë ka shkruar Bislimi, fatkeqësisht nuk është ajo çfarë Berge ka potencuar në takim lidhur me anëtarsimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ky fatkeqësisht, nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për Këshill të Evropës”, ka shkruar Berge si reagim për zv.kryeminstrin kosovar.
Bislimi përmes një cicërime në Twitter kishte thënë se i vjen keq që nuk e ka përdorur termat adekuat, ku në vend të fjalës ‘ai mirëpriti’ është dashur të përdoret ‘ ne informuam’.
“Me të vërtetë falënderues për @DSGBjornBerge për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tëeet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të thotë “ne informuam”, shkroi Bislimi. / Gazeta Enigma.