A ka femicid apo jo në Kosovë, është pyetja që i ka përplasur verbalisht sot në Kuvend Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, raporton Gazeta “Enigma”.
Pasi deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza tha se në Kosovë ka femicid, këtë e kundërshtoi Musliu, duke thënë se “në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra”.
“Kujt po i konvenon që me e bë shoqërinë tonë shoqëri femicide. Në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra, kuptojeni njëherë e përgjithmonë. Fjala ‘femicid’ do të thotë urrejtje ndaj grave me përmasa të mëdha. Ka dhunë ndaj grave, ka që vriten gra, vriten edhe burra, por nuk guxojmë që në këtë parlament t’ia japim emrin ‘femicid’. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse shkruhen raporte mbi këtë se çfarë flasim ne këtu dhe të trajtohemi ne si shoqëri femicide, kjo është e papranueshme”, tha ajo.
Musliu tha se vrasësit duhet dënuar.
I replikoi njëherë Fejza, duke thënë se “s’do mend se në Kosovë ka femicid dhe ka vrasje të grave sepse janë gra”. “Në Kosovë gruaja i gëzon të gjitha të drejtat”, i tha Musliu asaj në replikën e radhës.
Në këtë diskutim u inkuadrua edhe ministrja Haxhiu.
“Dhunuesit dhe kriminelët potencialë kur ju dëgjojnë teksa flisni, sigurisht që inkurajohen nga fjala jote”, tha ajo.
“Mendësia jote shpërfaq mendësinë e qeverisjes së PDK-së”, tha Haxhiu, duke i akuzuar qeveritë e mëparshme se s’kishin ndërmarrë masa për këtë fenomen.
Musliu replikoi sërish, duke thënë se s’është në rregull që ministrja e Drektësisë të flasë për femicid në Kosovë.