S’kalon Komisioni Hetimor Parlamentar për Energjinë, “revoltohet” opozita

S’kalon Komisioni Hetimor Parlamentar për Energjinë, “revoltohet” opozita


Mocioni për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e Energjisë elektrike, nuk ka arritur të kaloj në Kuvendin e Kosovës, duke siguruar vetëm votat e 33 deputetëve, raporton Gazeta “Enigma”.

Këtë e konfirmoi kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

“Kjo pikë mbetet pjesë e seancës së ardhshme, ky mocion”, tha Konjufca.

E pas kësaj reagoi menjëherë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai njoftoi se do ta lëshojnë seancën e sotme, dhe nuk do të votojnë për asnjë nga pikat në rendin e ditës. “Meqenëse opozitës ju mohua një e drejtë kushtetuese që është mbikëqyrja parlamentare e institucioneve qeveritare,  grupi i LDK-së deri në formimin e Grupit parlamentar nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, kurse për këtë seancë ne e lëshojmë sallën”, tha Gashi.

E pakënaqësitë për mos kalimin e këtij mocioni i paraqiti në fjalën e tij edhe Abelard Tahiri, i PDK-së.

“Kjo ishte hera e parë që propozohet themelimi i një komisioni parlamentar. Hedhja dritë në çfarëdo keqpërdorimi nuk besoj se do duhej me i pengu askujt. Sot  bë një veprim jashtëzakonisht i dëmshëm nga mazhoranca që dëmton frymën tonë parlamentare. Sot na mohuat një të drejtë tonë bazike, një të drejtë parlamentare”, tha Tahiri.

LDK-së në bojkotimin e seancës dhe të pikave të radhës iu bashkua edhe PDK-ja e AAK-ja. Edhe AAK-ja, sikurse dy partitë tjera opozitare konsideroi se po i shkelet e drejta themelore, nga ana e pushtetit. /Gazeta Enigma.

Related Articles