Sot pritet të ndodh një takim i nivelit të lartë i dialogut Beograd-Prishtinë që do të zhvillohet në Bruksel. Në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për herë të parë do të ballafaqohen “sy më sy”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurit dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta “Enigma”.
Zyra për informim e Bashkimit Evropian, për Gazetën “Enigma” kanë njoftuar mbi detajet e takimit ku sipas tyre do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak.
Sipas BE-së, do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit, të martën në orën 8:20.
Kjo më pas do të pasohet me një deklarim tjetër për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00).
Pritshmëritë e BE-së për këtë takim janë saktësuar edhe nga Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i këtij institucioni, Peter Stano, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.
Ai ka thënë se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat është arritur pajtim.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij presin nga të dyja palët një përkushtim të vazhduar për t’u angazhuar në këtë dialog dhe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet. Kjo nënkupton që gjithçka për të cilën është arritur pajtim duhet të zbatohet. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin që institucionet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta kapin mundësinë për ta dërguar këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm,” – vijoi zëdhënësi Stano.