Komuna e Prishtinës do të shpallë sot (e mërkurë) konkurs ndërkombëtar për monumentin e heroit Adem Jashari dhe familjes së tij, ka njoftuar kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rama ka thënë se monumenti i Adem Jasharit nuk duhet të jetë klasik, por modern që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe projekton të ardhmen e Kosovës.
“Ju e dini që ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar, për vendosjen e monumentit dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do të kërkojmë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar ide të ndryshme, se si do të duket monument i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishte e përshtatshme për këtë monument”, ka thënë ai.
Sipas tij, monumenti për Adem Jasharin nuk do të thotë të jetë domosdoshmërisht në sheshin me emrin e heroit. Ai ka deklaruar se kryeqyteti kërkon që monumenti të jetë i qasshëm me qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve. “Edhe të përdoret teknologjia e re, inteligjenca artificiale, për të treguar historinë se si ka ndodhur. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit”, ka thënë Rama.
Rama edhe në të kaluarën pati premtuar vendosjen e një shtatoreje të heroit Adem Jashari në kryeqytet.