Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak ka njoftuar se sot do të mbahet takimi mes Kosovës dhe Serbisë, ku do të diskutohet për targat. Derisa, nga ky takim paralajmërohet nevoja për arritjen e një marrëveshje të përhershme, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas analistit për çështje politike, Gazmir Raci presioni mes këtyre dy palëve është rritur, megjithatë ai shpreson për një arritje të një marrëveshje përfundimtare.
“Unë mendoj që presioni tash është rritur edhe më shumë që kjo çështje të zgjidhet sot, por shpresoj që do të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, tha Raci për Gazetën Enigma.
Ai thekson se palët do të përafërohen për shkak se deri më tash janë mbajtur shtatë takimet. Raci thekson se pozicionet kryesore tashmë dihen, vetëm kërkohet arritja e marrëveshjes në nivel të kryenegociatrëve.
Mirëpo, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu” Arton Demhasaj, nuk mendon se palët do të arrijnë ndonjë marrëveshje përfundimtare.
Sipas tij arritja e kompromisit eventual për çështjen e targave është e vështirë, duke marrë parasysh sipas tij se palët nuk kanë përafrim.
Çfarë nëse dështon arritja e një marrëveshje përfundimtare?
Raci thotë se ka mundësi edhe të dështimit, mirëpo nëse ndodhë një gjë e tillë sipas tij vazhdon gjendja e njëjtë.
“Ka mundësi edhe të dështimit, mirëpo nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë vazhdon gjendja e njejtë”, shton Raci.
Ndërsa, Demhasaj thotë se në rast të dështimit të marrëveshjes ekzistojnë dy opsione. Sipas tij, marrëveshja e përkohshme të vazhdohet edhe për një kohë, ose që palët të kthehen në pozicionet fillestare, që kanë qenë para marrëveshjes së përkohshme.
BE: Marrëveshja për targat kërkon fleksibilitet dhe kompromis
Zyrtarët evropian paralajmëruan nevojën e arritjes së marrëveshjes në prag të afatit për gjetjen e një zgjidhjë përfundimtare për targat e automjeteve nga Kosova dhe Serbia.
Sipas shefës së divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, Elsa Fenet, është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët mes të dyja palëve.
“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet dhe kompromis. Nuk mund të presin sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Fenet.
Ndërsa, Kosovës dhe Serbisë më 21 prill i skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e të dy shteteve.
Serbia: Kosova me qasje diskriminuese ndaj serbëve
Në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq ka kujtuar protestat e serbëve në shtator të vitit të kaluar, për shkak të masës së reciprocitetit për targat nga Serbia, duke thënë kështu se ky vendim kishte për qëllim “frikësimin e serbëve”.
Ndër të tjera, Sellakoviq tha se serbët në Kosovë po përballen me kërcenimë dhe qasje diskriminuese nga institucionet e Kosovës.
“Serbët po kërëcenohen, po inkurajohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kthehen në shtëpitë e tyre”.
Mirëpo, sa i përket deklarimeve të Serbisë dhe akuza kundrejt Kosovës, Raci thotë se këto janë vetëm provokime .
“Shumica e serbëve të Kosovës tashmë janë të pajisur me targa të Republikës së Kosovës, andaj për shkak të sigurisë gjatë lëvizjes së lirë është e rëndësishme që serbët të jenë të pajisur. Ato deklarata janë më shumë provokime prej Beogradit, por me rëndësi ka që Kosova të luaj nga reciprociteti dhe në marrëveshjen e re që duhet të arrihet sot”, tha tutje Raci.
Ndryshe, Lajçak do të takohet ndaras me bashkëbiseduesit e tij nga Kosova dhe Serbia. Ai më 20 prill inkurajoi kryenegociatorët që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara.
“Me punën e tyre, ata kanë përgatitut diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër (sot, 21 prill). Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara.
Vlen të theksohet se palët nuk kanë dhënë sinjale se janë afër ndonjë marrëveshje të përhershme. /Gazeta Enigma/.