Sot “zhbllokohet” Kuvendi i Kosovës

Sot “zhbllokohet” Kuvendi i Kosovës

Sot, në orën 17:00, mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit, e cila do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP, do të shërbejë si ndihmëse e tij.

Kryetari i mëparshëm i Kuvendit, Dimal Basha, ka mbajtur një mbledhje përgatitore me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare, ku janë dakorduar detajet organizative të seancës.

Sipas praktikave dhe Rregullores së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve, do të ulet në ulëset qendrore të sallës plenare. Partia Demokratike e Kosovës do të pozicionohet në anën e djathtë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në anën e majtë. Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe ata nga komunitetet serbe dhe joserbe, do të ulen në ulëset e tjera të sallës.

Sipas agjendës së prezantuar, pika e parë e rendit të ditës është formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, pas së cilës do të bëhet betimi i tyre.

Më pas, seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Me vendim të përbashkët, votimi i pesë nënkryetarëve do të bëhet në një pako, sipas propozimit të përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë.

Related Articles