Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se janë duke rishikuar nëse duhet të ketë një rritje të përhershme të trupave në Kosovë.
Këtë Stoltenberg e tha duke vënë në pah agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Sapo arrita nga Sarajeva, ku kisha një takim të rëndësishëm dje dhe sot dhe tani jemi duke bërë një rishikim rreth pranisë tonë ushtarake në Ballkanin Perëndimor, që përfshin edhe Bosnje e Hercegovinën por edhe Kosovën”, ka deklaruar Stoltenberg.
“Kemi përdorur forcat tona rezervë për ta rritur praninë tonë menjëherë pas dhunës në shtator dhe tani po e rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme për t’u siguruar se kjo situatë nuk del jashtë kontrollit dhe nuk krijon konflikte të tjera të dhunshme në Kosovë ose në rajonin më të gjerë”.
“Do të bëjmë ata që është e nevojshme, aktualisht jemi duke rishikuar praninë tonë dhe ndryshimet e nevojshme dhe i kemi zbatuar rritjen e nevojshme të NATO-s”.