Në kuadër të vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri Xhelal Sveçla u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë këtij takimi, Sveçla e falënderoi Escobarin për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite. Ai gjithashtu theksoi nevojën për të forcuar më tej aleancën me ShBA-në në fushat me interes të përbashkët.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu u diskutua edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë së për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.
Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së ShBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu falënderoi Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina.
Në fund të takimit të dy u dakorduan që të intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë. / Gazeta Enigma.