Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është më e dobëta nga të gjitha qeveritë e pasluftës, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas tij kjo Qeveri s’ka arritur asgjë.
“Sot janë bërë një vit që nga zgjedhjet parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 50 për qind të votave. Kemi të bëjmë me një qeveri shumë të dobët, që përveç shtrenjtimit të çmimeve, mungesës së vizionit të politikës së jashtme, nuk ka prodhuar diçka. Kjo Qeveri për këtë vit do të njihet si më e dobëta në histori të pasluftës”, deklaroi Tahiri.
Tutje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, deklaroi se për javën e ardhshme janë futur në rend dite dy projektligje të propozuara nga LVV-ja.
“Dy ligje të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit që kanë qenë pika thelbësore të LVV-së kanë hyrë në rend të ditës. Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligji për deklarimin e prejardhjes së pasurisë dhe të dhuratave”, tha ai.
E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se Qeveria aktuale e ka stagnuar vendin në shumë sfera, derisa theksoi se kryeministri Albin Kurti nuk ka vizion.