Të arriturat dhe dështimet e vitit 2021, flasin ekskluzivisht Ademi dhe Sahiti

Të arriturat dhe dështimet e vitit 2021, flasin ekskluzivisht Ademi dhe Sahiti

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbyllur vitin 2021 në pozitën e 111-të në ranklistën e FIFA-së, prapa shumë seleksioneve më pak të njohura. Pikërisht rezultatet e “Dardanëve” po konsiderohen jo të kënaqshme nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe po për këtë arsye kanë ardhur edhe ndryshimet në shtabin teknik, raporton Gazeta “Enigma”.

Bernard Challandes, tekniku zvicerian, i cili ishte selektor i Kosovës për më shumë se dy vite i tha ‘lamtumirë’ “Dardanëve”, ndërkohë që vendin e tij pritet ta zërë një selektor sërish i “huaj”.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Enigma”, i pari i FFK-së, Agim Ademi dhe Drejtori Sportiv i ekipit përfaqësues, Muharrem Sahiti, ndër të tjerash kanë folur për të arriturat e vitit që lëmë pas dhe ato të cilat mund të konsiderohen si “dështime”.

“Nëse flasim për rezultatet e Federatës, ato janë të shumëta, duke filluar nga organizimi rreth infrastrukturës, e deri te edukimi i kategorive të ndryshme, trajnerëve, gjyqtarëve, zyrtarëve sportive. Aspak nuk jam i kënaqur me të arriturat e ekipit A të Kosovës, por më gëzon fakti që te kategoritë e reja kemi dëshmuar kualitete, sidomos me U-17 në konkurrencën e mashkujve, si dhe kategorinë U-17 në konkurrencën e femrave”, theksoi fillimisht Ademi.

Sipas Ademit këto rezultate janë tregues i mirë se është duke u bërë një punë e madhe me të rinjtë. Ai vlerësoi edhe punën e madhe që është bërë në BKT Superligën e Kosovës në futboll dhe ligat e niveleve më të ulëta.

“Garat e FFK-së dhe ligave në tërësi kanë qenë tejet kompetitive dhe shumë të mira, me ngritje të cilësisë dhe organizimit, si dhe instalimin e VAR-it. Ky projekt është dëshmuar një e arritur e madhe pasi jemi ndër shtetet e rralla, nga gjithsej 215 federata në botë, që kemi arritur  të jemi në mesin e rreth 35 federatave që e kanë instaluar sistemin VAR”, shtoi Ademi.

Agim Ademi, flet për Gazetën Enigma, të arriturat dhe dështimet 2021.

Kreu i FFK-së ka folur edhe për objektivat e vitit të ardhshëm si dhe viteve në vijim, për të cilat tha se janë të qarta.

“Në vitin 2022 ende do të vazhdojmë me infrastrukturë. E rëndësishme është se do të jetë i instaluar futbolli nëpër shkolla. Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit që të na e shtoj një orë të edukatës fizike në javë, që do të thotë se do të kemi plus katër orë në muaj ku do të luhet vetëm futboll. Në kuadër të saj do të përzgjidhen talentët dhe talentet, të cilët do të angazhohen nëpër  klube të qyteteve ku janë shkollat”, shtoi ai.

Përveç kësaj, kreu i FFK-së tha se do të fillohet me riaktualizimin dhe e futbollit spontan apo futbollit të rrugës nëpër lagje, pasi sipas tij, do të jetë dukuri tejet adukative për gjeneratat e reja si strategji.

Edhe për drejtorin sportiv të “Dardanëve”, Muharrem Sahiti, pritjet e vitit që po e lëmë pas nuk janë realizuar as për së afërmi.

“Në grupin tonë kemi pretenduar së paku vendin e tretë me qëllim që të mbyllim kampanjën kualifikuese me më shumë pikë. Kemi pasur një grup të fortë, me Spanjën e Suedinë brenda tij, dhe kemi pretenduar vendin e tretë. Nuk jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, edhe pse gjatë rrugës kemi pasur probleme të ndryshme, si lëndime, probleme të shkaktuara nga pandemia e cila sikur pati më shumë efekte negative tek ne, pastaj forma jo e mirë e disa lojtarëve, minutazhi jo i mjaftueshme i tyre nëpër ekipet ku luajnë, dhe si pasojë e tërë kësaj nuk arritëm objektivin”, tha Sahiti.

Muharrem Sahiti, Drejtor Sportiv i Përfaqësueses së Kosovës

Duke folur për synimet e Kombëtares për vitin që po hyjmë, Sahiti potencoi disa nga objektivat që menaxhmenti i FFK-së i ka vënë si kusht vetes për vitin 2022.

“Kemi një objektiv më të qartë, pasi me grupin që kemi pretendojmë të zëmë vendin e parë në kualifikuese përmes Ligës së Kombeve, edhe pse ai nuk është aspak grup i lehtë. Shpresojmë që lojtarët do të kenë performancë të mirë nëpër skuadrat e tyre dhe kjo do të na ndihmonte shumë. I kemi disa individë që kanë shfaqur vërtetë performancë të mirë dhe besojmë se ashtu do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, drejt arritjes së objektivit, që është vendi i parë në grupin kualifikues në kuadër të garave për Ligën e kombeve”, përfundoi ai.

Kosova pritet që selektorin e ri ta zgjedh në muajin Mars.

/Gazeta Enigma/

Related Articles