Një person nga Bujanovci është vrarë këtë të diel në një kafene të Gjilanit. Drejt viktimës dyshohet se kanë shtënë dy persona të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe janë në kërkim nga policia.
Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Ismet Hashani, ka thënë për Klan Kosovën se kur kishte ndodhur vrasja kishte shumë njerëz afër dhe se policia ka marrë shumë dëshmi deri tani. Në ora 22:20 trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Insitutin e Mjekësisë Ligjore.
Lirim Jakupi është njëri nga të dyshuarit për vrasjen e 50 vjeçarit sonte në Gjilan.
Jakupi është i njohur për vepra penale si vrasje e arratisje nga burgu.
Ai ishte luftëtari i tri luftave në trojet shqiptare, atë të Kosovës, të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si dhe luftës së Maqedonisë.
Ai përjetoi burgjet e UNMIK-ut, burgjet e Kosovës, EULEX-it, Maqedonisë, KFOR-it, Serbisë dhe shumë procese tjera.
Lirim Jakupi ishte përballur me shumë akuza nga drejtësia si ajo vendore, serbe e ndërkombëtare për krime lufte.
Për veprat e kryera në Maqedoni gjatë periudhës shtator-dhjetor 2014, Lirim Jakupi akuzohej nga EULEX-i. Ndaj Jakupit edhe ishte ngritur aktakuza për kryerje të vrasjes së rëndë në tentativë, shkaktim të lëndimit të rëndë trupor dhe sulm kundër personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës.
Rasti sipas EULEX-it ka të bëjë me pretendimet që i pandehuri, në shtator dhe në dhjetor 2004, ka sulmuar dhe ka hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë në Shkup dhe në Tetovë duke iu shkaktuar lëndime të rënda.
EULEX pretendon se Lirim Jakupi iku nga vendi i krimit. Ai u arrestua në Kosovë në janar të vitit 2014 dhe prej atëherë ka qenë në paraburgim. Ky ishte një hetim i përbashkët i kryer nga hetuesit e EULEX-it të njësitit të krimit të organizuar së bashku me prokurorët dhe hetuesit nga Republika e Maqedonisë ka sqaruar EULEX-i.