Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këtë të enjte do të mbajnë protestë gjithëpopullore për të shprehur kundërshtimin ndaj mbajtjes së padrejtë në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Protesta nis nga ora 17:00 në sheshin ”Skëndërbeu”.
Organizuesit e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. “Kemi komunikuar me strukturat tona dhe me shumë qytetarë. Për ata që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë me autobusë, kemi vendosur që parkingu ‘Prishtina’ pranë Pallatit të Rinisë do të jetë i gatshëm për pritjen e tyre”, tha të mërkurën Gazmend Syla, nënkryetar i OVL – UÇK-së.
“Është e rëndësishme që të dërgojmë një mesazh të qartë: kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj tyre, por edhe ndaj historisë sonë”, tha Syla.
Nga partia në pushtet, LVV nuk kanë njoftuar nëse do marrin pjesë në protestë, përveç ish deputetes së kësja partie, Vasfije Krasniqi – Goodman. Ajo e ka përkrahur protestën dhe ka njoftuar se do të marr pjesë.
PDK, LDK e AAK kanë bërë thirrje për një protestë masive
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se të gjithë anëtarët e kësaj partie kanë bërë thirrje për një protestë masive në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Të gjithë ne kemi bërë thirrje për një protestë masive, dhe besojmë shumë se kjo do të jetë protesta më masive që është bërë ndonjëherë”, tha ajo për “Enigmën”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë që sipas tij nuk është thjesht reagim, por një akt ndërgjegjeje kombëtare.
“Më 7 gusht, në ora 17:00, mblidhemi të gjithë në sheshin “Skënderbeu” – në një protestë që nuk është thjesht reagim, por një akt ndërgjegjeje kombëtare. Le të jehojë zëri i secilit që nuk pranon që lufta për liri të njolloset, që historia jonë të rishkruhet padrejtësisht, e që drejtësia të kthehet në padrejtësi. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.
Pos Krasniqit edhe shumë partiak të tij kanë bërë thirrje për protestë.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook ka thënë se protesta e 7 gushtit është thirrja jonë për Republikën.
“Një ushtri çlirimtare me një emblemë e me një qëllim, për një Republikë të lirë, të pavarur dhe të drejtë për të gjithë. Protesta e 7 gushtit është thirrja jonë për Republikën. Duhet të mbrohen vlerat dhe qëllimi i përbashkët. Në emër të atdheut, familjes e Zotit, dje, sot e nesër!”, ka shkruar Haziri.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se patjetër do të jem pjesë e protestës me gjithë dëshirë.
“Siç e keni parë të gjithë kemi shpërnda statuse duke u nisur nga Ramushi, Dauti po edhe unë po ashtu edhe shoqatat e luftës që janë në Dukagjin janë të mobilizuara që protesta me qenë më masive, me qenë protestë paqësore dhe me mesazhe të qarta për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe për padrejtësitë që po bëhen në tribunalin e Hagës”, tha ajo.
“Besoj që ka me qenë një protestë madhështore, besoj se do të ketë një pjesëmarrje masive. Shumë shpresoj që do të jetë një prej protestave më të mëdha që janë bërë deri më tani”, ka theksuar Kadrijaj për Gazetën “Enigma”.
Gucati: 106 autobusë do të vijnë në Prishtinë për protestë
Në lidhje me protestën e sotme është deklaruar edhe Hysni Gucati, ku edhe ka njoftuar se 106 autobusë do të vijnë nga të gjitha qytetet për këtë protestë.
”106 autobusë janë që do të vijnë nga qytetet e ndryshme të Kosovës. Po kemi marrë informata që do të vijnë protestues edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut”, ka thënë ai.
Gucati tutje ka theksuar se për protestën e sotme kanë marrë përkrahje nga të gjitha partitë politike pos LVV-së.
Një ditë para protestës, Gjykata Speciale del me një video
Një ditë përpara protestës së thirrur “kundër padrejtësisë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, Dhomat e Specializuara kanë shpërndarë një video ku zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, foli për “mbrojtje më të mirë për dëshmitarët dhe viktimat që duan të tregojnë historinë e tyre pa frikë”.
Griep tha se Kosova dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar që gjyqet për krime lufte të mbahen jashtë territorit të Kosovës, pikërisht sipas saj, për t’i mundësuar mbrojtje më të mirë dëshmitarëve dhe viktimave.
“Në Kosovë, si në vendet e tjera demokratike është e kundërligjshme që të tentosh ta ndalosh një viktimë apo një dëshmitar që ta tregojë historinë e tij duke i kërcënuar apo duke iu premtuar ndonjë shpërblim”.
“Po ashtu, është e kundërligjshme që t’i thuash një dëshmitari të gënjejë në gjykatë apo ta ndryshojë dëshminë. Njerëzit që i thyejnë këto rregulla, mund të gjykohen dhe të dënohen nga Dhomat e Specializuara”, tha ajo përmes një video-mesazhi.
Tutje, ajo kujtoi që deri tani, pesë persona janë shpallur fajtorë ose kanë pranuar fajësinë për frikësimin e dëshmitarëve, ndërsa pesë të tjerë akuzohen për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarë.
Kosovo and the EU agreed to hold certain war crimes trials outside of Kosovo, to allow the court to better protect witnesses and victims who wish to tell their stories without fear. Find out more here. pic.twitter.com/DCD7m06MyO— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) August 6, 2025
“Në përkrahje të protestës sot të gjithë autobusët në Prishtinë janë falas”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur t’i lirojë pa pagesë të gjithë autobusët për sot.
Kjo në mbështetje të protestës të veteranëve kundër Gjykatës Speciale.