Sulmuesi kosovar Jetmir Topalli është duke e kaluar sezonin e tretë në futbollin turk.
Topalli vëmendjen e të gjithëve e mori në Superligën e Kosovës me skuadrën e Ballkanit duke bërë paraqitje fantastike me skuadrën suharekase.
Pas dy sezoneve fantastike me Ballkanin ku nga 64 ndeshje arriti t’i shënoj 17 gola dhe 9 asistime, 24-vjeçari zgjoi interesimin e disa skuadrave evropiane, duke bërë që t’i bashkohet skuadrës turke Yeni Malatyaspor.
Ai arriti që për një sezon te skuadra e Yeni Malatyasporit t’i luajë 17 ndeshje në Superligë duke i shënuar 4 gola.
Ish-futbollisti i Ballkanit pas një sezoni te Yeni Malatyaspor iu bashkua skuadrës së Istanbulsporit në vitin 2021.
Jetmir Topalli në sezonin e parë me Istanbulsporin luajti në Ligën e Parë duke i shënuar 9 gola dhe 6 asistime nga 27 ndeshje të luajtura duke u ngjitur në Superligën e Turqisë.
Në sezonin 2022/2023 sulmuesi i krahut është bërë titullar i padiskutueshëm ku nga 9 ndeshje ka luajtur prej fillimit duke kontribuar me një gol, shkruan Gazeta Enigma.
Në një intervistë për Gazetën Enigma, Jetmir Topalli ka treguar se çfarë domethënie ka për të që të jetë startues në Superligën e Turqisë, cili është dallimi mes Ligës së Parë dhe Superligës dhe cilat janë synimet e tij për të ardhmen.
“Patjetër që të jesh startues në gjithë këto ndeshje ka domethënie të madhe për mua për vet faktin se rritem si lojtar, fitoj eksperiencë dhe përmirësohem dita ditës që më ndihmon me pas të ngris nivelin tim”, thotë Topalli për Gazetën Enigma.
Vetëm një gol nga nëntë ndeshje në Superligën e Turqisë nuk janë stastika që e kënaqin Topallin, pasi ka pritur që të shënojë më shumë gola
“Në aspektin personal kam pritur të shënojë edhe më shumë gola pasi që kam pasur mundësi po është vetëm fillimi, kështu që mduhet me vazhdu me punu ende shumë. Kurse në aspektin ekipor si fillim është pak e vështirë pasi kemi shumë lojtar të rinjë në moshë, por nga loja në lojë jemi duke u përmirësuar edhe duke marrë rezultate pozitive”, shprehet optimist Topalli se është duke u përmirësuar së bashku me skuadrën e tij, pasi nga nëntë xhiro kanë grumbulluar vetëm 8 pikë dhe pozicionohen në vendin e 15-të.
Ai tregon se cili është dallimi mes Superligës dhe Ligës së parë të Turqisë.
“Dallimi mes Superligës dhe Ligës së Parë të Turqisë është shumë i madh në aspektin taktik dhe teknik, duke pasur parasysh që ka lojtarë me emër që kanë luajtur gjatë në Evropë dhe në futbollin turk që e njohin shumë mire”, tregon Topalli për Gazetën Enigma.
Në futbollin turk luajnë shumë futbollistë shqiptar, por deri tani Jetmir Topalli është takuar vetëm me Ibrahim Dresevicin.
“Nuk me ka ra me u taku me dikë tjetër nga lojtarët shqiptar përpos Dresevicit, pasi që kemi pas lojë kundër tyre para disa jave dhe ka qenë një përshëndetje komunikim i shkurt se si po shkojnë gjërat këtu, pasi ai është ardh në një ambient të ri dhe nuk ka pasur diçka tjetër”, tregon ai.
Synimi i Jetmir Topallit është që të shfrytëzojë futbollin turk si trampolinë për të luajtur në njëren prej pesë ligave kryesore në Evropë si Premierligë, La Liga, Ligue 1, Bundesliga dhe Serie A.
“Synimi i im është që të transferohem në ndonjë klub të madh në Turqi, pastaj në njërin prej kampionateve më të forta në Evropë si Premierligë, La Liga, Ligue 1, Bundesligë dhe Serie A”, potencon Topalli për Gazetën Enigma.
Jetmir Topalli ka debutuar për Kosovën më 12 janar të vitit 2020 duke i bërë tri paraqitje për “Dardanët”.
Sot me fillim nga ora 19:00, Jetmir Topalli pritet ta luajë ndeshjet e 10-të radhazi në këtë sezon për Istanbulsporin si mysafirë ndaj Antalyasporit./GAZETA ENIGMA/