Si pasojë e të shtënave me armë zjarrin, mbrëmjen e së mërkurës kanë vdekur dy persona dhe një tjetër është lënduar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Pas hetimeve të para u bë e ditur se dy zyrtarë të lartë të PDK-së, kandidati për kryetar të Komunës, radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidatin e PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj, pas një konflikti, janë gjuajtur me armë zjarri nga ku mbetën të dy të vdekur.
Sipas Policisë së Kosovës edhe një person tjetër, që dyshohet se është vëllai i Astritit, Avniu, është plagosur, i cili sipas mjekut kujdestar në spitalin e Pejës, është jashtë rrezikut për jetë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar mbrëmë për Gazetën “Enigma”, se të shtënat me armë zjarri ishin dëgjuar rreth orës 20:20 në afërsi të shkollës Ekonomike “Ali Hadri”, ku dy persona kishin mbetur të vdekur dhe një tjetër i plagosur.
Sipas informatave të para dyshohet se rasti ka ndodhur në një lokal në Pejë, ku viktimat fillimisht kanë pasur një konflikt mes vete, dhe më pas janë gjuajtur me armë zjarri ndërsa vëllai i Astrit Ademeaj kishte mbetur i plagosur.
Në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur dy revole dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë aktit.
Pas ngjarjes tragjike, reagimet e para kanë ardhur nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ku ai u shprehur i tronditur nga vrasja e dyfishtë.
Muhaxheri ka deklaruar se me Astritin është takuar cdo ditë, sipas tij pos prokupimit të aktiviteve politike, Astriti nuk kishte pasur asnjë shenjë që ka konflikt me dikë.
“Mund të ketë qenë konflikt pak më i hershëm ose i momentit që ka ndodh në mes tyre. Astritin e kam takuar sot ditën, ka qenë i prokupuar me aktivitetin e tij politik. Nuk ka pasur asnjë shenjë që ka pasur konflikt me dikë”, ka deklaruar mbrëmë Muhaxheri.
“Me Astritin zakonisht jemi takuar çdo ditë para një lokali që është afër Komunës, ku ai rri me shokë. Blerandin veç e njoh nuk e kam takuar, ndërsa me Astritin jam takuar shpesh. Vëllain e tij e kam si shok”, ka shpjeguar tutje ai.
Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate kanë shkruar se janë të tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës.
“Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkë ndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thuhej në reagimin e PDK-së.
Për ngjarjen tragjike reagoi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkë ndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, ka shkruar Kurti.
Njëkohësisht, kryeministri ka ftuar organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasje të dyfishtë.
Gjithashtu, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës dhe ka kërkuar nga organet e rendit që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes.
“Me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe PDK–së! Të lënduarit, i dëshiroj shërim të shpejtë! Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ngushëlluar për viktimat.
“Të gjithë jemi tronditur nga vrasja e dyfishtë që ndodhi sonte në Pejë. U shpreh ngushëllime familjeve Ademaj dhe Kadrijaj si dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për humbjen e dy zyrtarëve të saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi mbrëmë se kanë arrestuar personin e tretë të përfshirë në ngjarje.
Ai ka shtuar se janë të përkushtuar që me të gjitha kapacitet ta zbardhin rastin.
“Sapo më njoftuan se një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në qytetin e Pejës ku kemi vrasje të dyfishtë dhe një të plagosur, i cili tashmë është arrestuar. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin”.
“Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”, ka deklaruar Sveçla.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se akoma është herët të flitet për rrethanat se si ka ndodhur ngjarja e vrasjes së dyfishtë.
“Është duke u punuar në mënyrë intensive në vendin ngjarjes që të kuptohen rrethanat se si ka ardhur deri tek ky incident. Ndërkaq, është fazë shumë e hershme për të dalë me një qëndrim se çfarë ka ndodhur dhe si ka ardhur tek ngjarja”,ka deklaruar Nikçi për Gazetën “Enigma”.
Ndërsa, përmes një postimi në Facebook, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka bërë të ditur se viktima, Blerand Kadrijaj ishte kushëriri i saj./Gazeta Enigma/.