Turizmi mes Kosovës dhe Shqipërisë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një urë të fortë lidhëse mes dy vendeve që ndajnë histori, kulturë dhe gjuhë të përbashkët. Lëvizja e lirë, infrastruktura në rritje dhe ofertat turistike gjithnjë e më të pasura kanë bërë që kufiri të mos shihet më si ndarje, por si pikë takimi për zhvillim të ndërsjellë, shkruan Gazeta Enigma.
Turizmi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është konsoliduar gjatë viteve të fundit si një ndër mekanizmat më të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit rajonal.
Në këtë dinamikë të re, turizmi po bëhet një faktor ekonomik, kulturor dhe social që forcon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe hap horizonte të reja zhvillimi në mbarë rajonin.
Por, në vitin 2025 a ka pasur rritje apo ulje në aspektin turistik mes dy shteteve?
Sektori i akomodimit në Shqipëri ka shënuar një rritje historike gjatë muajit Gusht 2025, për vitizorët në pëgjithësi si ata të huajt dhe për nga turistët e Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), strukturat akomoduese regjistruan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net-qëndrimeve, duke konfirmuar trendin pozitiv të turizmit.
Treguesit kryesorë të INSTAT flasin për një rritje mbresëlënëse krahasuar me Gushtin e vitit 2024: Vizitorët gjithsej u rritën me 35,1%.
Në strukturën e vizitorëve jo-rezidentë Kosova dominonte me 21% të pjesëmarrjes.
Mirëpo, një rritje jashtëzakonisht e madhe u shënua gjatë muajit tetor të vitit 2025, prej 19.3% të hyrjes së të huajve në Shqipëri ku kanë qenë shqiptarët e Kosovës.

Shifrat e hyrjes sipas shteteve tregojnë se hyrjet nga Kosova ishin 306 mijë me një rritje 60% në raport me tetorin e vitit 2024.
Përtej një rikthimi të turizmit patriotik në normalitet, në vjeshtë, ajo që duket se ka luajtur një rol në këtë shifër është edhe mbajtja në Tiranë e aktiviteteve të lidhura me Kosovën. Ku më 17 tetor u mbajt një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës.
Arsyje kjo që solli në Tiranë mijëra shtetas nga Kosova që ishin të pranishëm në sheshin ku u mbajt protesta.
Kosova mban aktualisht 33.7% të totalit të hyrjes së të huajve në vendin tonë duke mbetur kryesorja sa i takon prurjeve turistike.
Por, a po bie interesi i turistëve nga Kosova për pushime në Shqipëri?
Kryetari i Shoqatës së Hotelier-Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, alarmoi për sektorin turstik në Shqipëri, duke thënë se turistët nga Kosova po zgjedhin vendet e tjera të rajonit e veçanërisht Greqinë, për të kaluar pushimet verore.
Topuzi potencoi se Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për të krijuar një korridor të lehtësuar drejt destinacioneve greke, çka e bën më tërheqëse për pushuesit kosovarë që kërkojnë alternativa të reja dhe më të organizuara për pushimet verore.
“Rajoni është bërë më gati sesa ne. Kosova është lidhur me Maqedoninë për të kaluar më kollaj në Greqi. Kjo tregon se ka një mungesë përgatitjeje nga ana jonë për të mbajtur dhe rritur interesin e turistëve kosovarë në Shqipëri”, tha Topuzi, teksa theksoi se Shqipëria po humbet një nga tregjet më të qëndrueshme dhe besnike të turizmit.
Ai gjithashtu potencoi se nuk është fjala vetëm për periudhën verore, por për potencialin që ka Shqipëria për të ofruar një eksperiencë turistike gjithëvjetore për të rinjtë nga Kosova.
“Ne nuk jemi gati për të rinjtë kosovarë, të cilët duhet të kenë mundësi të vijnë në Shqipëri dhe të kalojnë pothuajse të gjithë vitin këtu. Duhet të bëhemi një vend ku ata ndihen të mirëpritur, të angazhuar, ku të kenë çfarë të bëjnë”, përfundoi Topuzi.
Sipas tij, nevojitet një investim më i madh në krijimin e aktiviteteve dhe produkteve të reja turistike që do të tërhiqnin vizitorët nga Kosova.
Si është raporti mes dy shteteve në aspektin turistik dhe cilat janë sfidat?
Profesoresha Alberta Tahiri, njëkohësisht shefja e Departamentit të Menaxhimit dhe Turizmit të Qëndrueshëm në Fakultetin ‘Haxhi Zeka’, thekson se zhvillimi i turizmit në Kosovë dhe Shqipëri sa vjen e konsolidohet.
“Zhvillimi aktual i turizmit në Kosovë dhe Shqipëri ka kaluar në një fazë të komplikuar duke shkuar në zhvillim krahasuar me vitet e kaluara dhe aktualisht mund të themi se të dy vendet kanë shfrytëzuar mundësitë për të tërhequr vitizorë si vendor edhe të huaj për të promovuar burimet natyrore dhe kulturore të rajonit”, u shpreh Tahiri për Gazetën Enigma.
Tutje, Tahiri shpalos faktorët që ndikojnë në zhvillimin e turizmit në të dy vendet dhe sfidat me të cilat mund të përballen.
|Sipas saj një nga faktorët më të rëndësishëm në aspektin turistik është infrastruktura.
“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim , duke ndërtuar autostrada. Disa qytete si Durrësi dhe Vlora, janë zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme si destinacione për pushime. Megjithatë, ende ka nevojë për investime në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe diversifikimin e produkteve turistike. Në Kosovë megjithëse ka pasur investime në ndërtimin e hoteleve dhe infrastrukturës rrugore, mbetet një sfidë më e madhe në përmirësimin e shërbimeve dhe ofertave tristike, ka nevojë për një zhvillim më të gjerë të një produkti turistik të qëndrueshëm dhe të divedrsifikuar, si dhe për mbështetje të mëtejshme për trajnimin e profesionistëve të industrisë”, tha ajo për Enigmën.
Tahiri potencoi se pike kyçe është edhe mbështetja nga të dy Qeveritë që vendet të kenë turizëm të qëndrueshëm.
“Qeveritë e të dyja vendeve kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e sektorit të turizmit për ekonomitë e tyre, dhe janë angazhuar për të ofruar mbështetje për këtë fushë. Pra, për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm duhet që të dy shtetet të rrisin bashkëpunimin ndërkombëtarë dhe të investojnë në promovimin e ofertave turistike”, u shpreh Tahiri për Enigmën.
Ndër të tjera, Tahiri thekson disa nga sfidat që pengojnë bashkëpunimin turistik mes dy vendeve.
“Disa nga sfidat kryesore që pengojnë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë mungesa e sinjalistikës së duhur turistike për ata turistë që vijnë të vizitojnë vendet për here të pare. Mungesë promovimi i përbashkët dhe krijimi i paketave të përbashkëta, gjë që kanë ndikim tek turizmi”, vazhdoi Tahiri për Enigmën.
Sipas saj duhet të bëhet“Krijimi i politikave dhe strategjive të përbashkëta në lidhje me promovimin dhe lehtësirave ndaj turistëve duke përfshirë rregulla dhe standarde të përbashkëta. Krijimi i një brendi të përbashkët turistik duke hedhur në pah resurset natyrore dhe kulturore të të dyja vendeve. Certifikimi i ciceronëve, kështu duke shkëmbyer përvojat turistike mes dy vendeve”.
“Koordinimi i dy vendeve kërkon harmonizim të vazhdueshën të politikave dhe zhvillimit të strategjive duke u përpjekur gjithmonë në përmirësime dhe gjërave inovative që kërkon ky sektor Siç është turizmi si industria më e madhe që kontribuon në zhvillimin ekonomik të një vendi”, përfundoi profesoresha e Turizmit.
Hekurudha “Kuq e zi” që bashkon Durrësin dhe Prishtinën
Një projekt që pritet të ndikoj edhe më shumë në zhvillimin e turizmit të dyja vendeve është edhe hekurudha “Kuq e Zi”.
Në prill të këtij viti është prezantuar studimi i fizibilitetit dhe projekt-idesë për hekurudhën Durrës-Prishtinë.
Kjo hekurudhë do të quhet “KUQ E ZI”, dhe rrugën që ndjek hekurudha ose stacionet e parashikuara do të fillojnë nga qytetet: Durrësi, Shkodra, kufiri Shqipëri-Kosovë, stacioni i Gjakovës dhe më pas Prishtina.
Hekurudha midis Shqipërisë dhe Kosovës, e cila pritet të rrisë vizitat turistike mes dy vendeve do të ketë shtatë stacione dhe një gjatësi prej 105.8 kilometrash, kurse kostoja e këtij segmenti përllogaritet të jetë 1.8 miliardë euro. /GAZETAENIGMA/
