Gjatë një bastisjeje në mbarë BE-në, oficerët e policisë arrestuan 45 të dyshuar, duke përfshirë edhe Bashkim Osmanin, 50 vjeçarin nga Kosova.
Bashkim Osmani, jeton në Gjermani prej vitesh, ai u arrestua në Kroaci nën dyshimin për trafikim të drogës. Mësohet se ai është në qendër të operacionit të kontrabandës.
Të dyshuarit kishin importuar kokainë nga Amerika Latine dhe e bënin atë në masë të madhe. Të ardhurat thuhet se janë pastruar në disa vende të BE-së, përfshirë Spanjën.
600 oficerë policie dhe FBI të përfshirë në arrestimin e Osmanit
Sipas Europol, 600 policë u përfshinë në operacion, ku u bastisën gjithsej 80 objekte. Fushata u zhvillua paralelisht në Spanjë, Belgjikë, Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.
Sipas informacioneve të SPIEGEL, hetuesit në Gjermani kontrolluan disa apartamente në Hamburg dhe siguruan dokumente. Shkak ka qenë kërkesa për ndihmë juridike nga autoritetet spanjolle, të cilat prej vitesh po hetonin Osmanin për pazare të dyshuara droge në përmasa të mëdha.
Vetë Osmani është arrestuar në një udhëtim në Kroaci.
Përveç autoriteteve kombëtare hetimore nga vendet e BE-së, në aksion morën pjesë edhe Agjencia Kombëtare Britanike e Krimit dhe Policia Federale e SHBA-së FBI.
Hetimet për grupin filluan në Spanjë në vitin 2018 – hetuesit bënë përparimin e tyre pas hakimit të vitit 2020 të ofruesit të kripto-chat-it Sky ECC, i njohur me kriminelët në mbarë botën, të cilin disa nga të dyshuarit me sa duket e përdorën për të kryer biznesin e tyre.
Kush është Bashkim Osmani dhe si u pasurua?
Bashkim Osmani krijoi shumë njohje dhe zgjeroi ndikimin e tij në politikë dhe shërbeu si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës, bazuar në një raportim të gazetës politike kroate, Nacional.
Bashkim Osmani, i dyshuari kryesor i një operacioni të EUORPOL-it kundër trafikimit me drogë, ka thënë se pasurinë e ka bërë duke investuar në prona të paluajtshme në Hamburg dhe më pas në Spanjë.
Në një intervistë për gazetën kroate Nacional në vitin 2007, Osmani kishte thënë se pas transferimit në Hamburg në vitet 1980, familja e tij kishte rritur ndjeshëm pasurinë që kishin në Kosovë.
Osmani, bashkë me tre vëllezërit e tij, Bekimin, Qazimin dhe Burimin, u kapën në Kroaci, raportoi të mërkurën gazeta kroate Jutarnji List.
Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.
Bashkim Osmani posedon një pasaportë kroate. Në vitin 2007 ai bleu një hotel në qendër të Poreçit, një qendre turistike në Kroaci. Kësisoj, në atë kohë, ai relaizoi një intervistë për gazetën Nacional.
Në atë kohë, Osmani tha për të përjavshmen politike kroate se ishte pasuruar duke investuar në prona të paluajtshme, fillimisht në Hamburg dhe më pas në Spanjë.
Familja Osmani konsiderohej një nga familjet më të pasura shqiptare në Gjermani.
Kjo familje është nga rrethi i Gjakovës, prej nga u shpërngulën në Hamburg në mesin e viteve 1980.
“Gjithçka filloi në fillim të viteve tetëdhjetë kur vëllai i parë Qazimi u largua nga Gjakova për në Gjermani, dhe ne shkuam pas tij. Në atë kohë në Jugosllavi, si shqiptarë, nuk kishim perspektivë, sidomos nëse ishe ambicioz”, tha ai.
“Familja jonë ka qenë gjithmonë e famshme. Në Kosovë edhe para luftes së dytë botërore dhe pas lufte babai ka qenë politikan prandaj as në Gjermani nuk kemi shkuar me kruese dhembësh në gojë. Ne kishim një nga restorantet më të mëdha në Prishtinë, ishim pronarë të parcelave të mëdha tokash në Kosovë, kishim aksione pronësie në argjendari, nuk mund të ankoheshim”, rrëfeu ai.
Osmani, asokohe thoshte se ai dhe vëllezërit e tij nuk janë si shqiptarët e tjerë.
“Por cilësia e jetës në Kosovë ishte e ulët. Udhëtuam, pamë botën, nuk ishim si shqiptarët e tjerë që mendonin se duhej të bënim dhjetë fëmijë dhe kaq. Jeta nuk është kështu, ne donim lirinë tonë, dhe ju e dini se si dukej Kosova viteve 1980”, ka thënë ai në një intervistë të vitit 2007.
“Ishin vite të mira, unë isha 30 vjeç, isha i ri, kisha para dhe kisha njerëz që më këshillonin mirë. Një mik hebre atëherë më tha ‘bli dhe lësho me qira, por kurrë mos shit pasuri të paluajtshme dhe kështu nuk do të jesh kurrë i varfër’. Bleva të gjithë rrugën në qendër të Hamburgut, më shumë se 200 apartamente të vjetra që i rimodelova dhe i lëshova me qira. Kjo blerje më kushtoi 20 milionë marka gjermane. Isha me fat që çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 15 deri në 20 për qind brenda dy viteve”, rrëfei Bashkim Osmani. “Atëherë pashë se sa fitimprurës ishte ai biznes.”
Jeta luksoze e Qazim Osmanit, bosit të kazinove
Nga më të famshmit ndër vëllezër, Qazim Osmani, njihet me nofkën “Feliksi”. Ai është më i zbuluar në publik, në raport me tre vëllezërit e tij.
Jeta e tij luksoze ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e mediave, kryesisht të atyre në Serbi, ku ka jetuar për një kohë.
Lidhjet e tij të dashurisë me këngëtare dhe modele serbe janë vënë nën “llupën” e mediave serbe për një kohë të gjatë. Dhe jo vetëm kaq. Edhe jeta e tij private është kapur nga paparacit.
Në internet qarkullojnë dhjetëra fotografi të cilat e shfaqin “Feliksin” në jahte e klube të natës.
Mediumi serb, “Kurir”, në vitin 2015 e përshkruante Osmanin “një don zhuan” rreth të cilit sillen e mbështillen yjet e estradës serbe.
Në një rrëfim për mediumin serbe, ai kishte thënë se të dashurave të tij nuk u dhuron banesa, automobila, por unaza.
“Nuk u fal automobila e banesa. I qeras me parfume, orë gardërobë “, kishte zbuluar biznesmeni shqiptar Osmani për gazetën e Beogradit “Kurir”.
“Pyetni femrat çfarë u pëlqen atyre tek unë. Ja, kjo afër meje, thotë se jam markant. Jam njeri i pasur, kam dy vajza e dy djem nga dy martesa. S’e kam ndër mend të martohem”, kishte thënë Osmani, i cili ka qenë në lidhje me Natasha Bekvalac, Ana Nikoliq, Sanja Maletiq, Manda Popoviq etj, të gjitha nga estrada serbe.
Osmani është i lindur në Koshare, Junik.
Si 16 vjeçar ka shkuar në Gjermani. Në vitet e 90 mediet gjermane kishin shkruar për të e për vëllanë e vet si ardhës të dyshimtë që “bënin kërdi” nëpër rrugët e e Reperbanit.
Në shkrimet e para e përshkruanin si ndihmës punëtori në restorant i cili gjatë natës organizon lojëra të pista bixhozi, ka shumë pari, vozit ferrari të kuq.
“Si 20 vjeçar jam bërë milioner. Edhe tani kam biznes kumari. Kam kudo shtëpi kumari dhe jam krenar me punën”, kishte thënë Osmani./Gazeta Enigma/