“Së paku 117 fëmijë janë vrarë dhe mbi 155 të tjerë janë plagosur që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës”.
Kështu tha të martën Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.
Sipas saj, shumica e viktimave janë raportuar në ose rreth kryeqytetit Kiev dhe në qytetin verilindor të Harkivit.
Në Harkiv, një tank rus raportohet se ka goditur një makinë, në të cilën ndodhej një familje me dy fëmijë, tha Zyra e Prokurorit.
Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, shtoi ajo, autobusët e evakuimit që kanë transportuar fëmijë, janë goditur nga granatimet ruse.
Prokurorët po ashtu thanë se kanë regjistruar 548 sulme mbi shkolla dhe objekte të tjera arsimore – 72 prej të cilave janë “shkatërruar plotësisht”.
Sipas prokurorëve, shifrat që ata raportojnë, nuk janë përfundimtare, për shkak të vështirësive në qasjen apo inspektimin e vendeve në disa pjesë të Ukrainës.