Varianti Omicron, për një javë u konfirmuan mbi 15 mijë raste të reja

Varianti Omicron, për një javë u konfirmuan mbi 15 mijë raste të reja

Gjendja e rëndë e të infektuarve vazhdon të jetë prezente në vendin tonë, derisa çdo ditë numri i rasteve të reja shënon rritje.



Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëm gjatë javës së kaluar janë konfirmuar 15 mijë e 312 raste të tjera, ndërsa katër kanë humbur jetën.

Deri më tani numri i rasteve aktive në Kosovë ka arritur në 17 mijë e 743.

Kujtojmë se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 2 mijë e 957 raste pozitive me COVID-19, dhe një person ka humbur jetën.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Ai u shpreh se secili qytetarë që ka marrë dy vaksina duhet me patjetër që të marrë edhe dozën e tretë.

Latifi shtoi se ekziston mundësia që edhe personat që kanë marrë tri doza të ri-infektohen me COVID, mirëpo e kalojnë më lehtë.

“Nëse dikush është vaksinuar me dy doza duhet ta marrë edhe dozën përforcuese. Unë e kam marrë edhe vet. Secili duhet ta marrë edhe vaksinën e tretë. Edhe ata që kanë marrë vaksinën mund të sëmuren. Vaksina nuk është 100% në të gjitha rastet, por nëse riinfektohesh megjithatë do të kalojë më lehtë sesa mos të jesh i vaksinuar”, u shpreh Latifi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja në luftimin dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit, masa këto të cilat kanë hyrë në fuqi më 22 janar dhe do të zgjasin deri më 4 shkurt 2022.

Me masat e reja, ora policore për qytetarët nis nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Qytetarët janë të obliguar që të bartin maskën, pavarësisht vendit në të cilin ndodhen, ndërkaq lokalet e gastronomisë do të jenë të hapura deri në orën 21:00, ndërsa muzika lejohet deri në 20:30. /Gazeta Enigma/.

Related Articles