Një punëtor ka vdekur sërish në vendin e punës, kësaj radhe në Shtime, vetëm dy ditë pasi një punëtor tjetër vdiq po ashtu në vendin e punës, në Ferizaj.
Pas vdekjes së punëtorit në Ferizaj, Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, njoftoi se ka marrë vendim të menjëhershëm që në të gjithë territorin e Kosovës të fillojë një aksion i jashtëzakonshëm i inspektimeve, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas vendimit të nxjerrë nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare më 13 prill, Inspektorati Qendror i Punës obligohet të hartojë një plan emergjent dhe të fillojë menjëherë një aksion të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve. Ky aksion do të zhvillohet në të gjithë territorin e vendit për një periudhë 15-ditore, me fokus në kantieret ndërtimore dhe aktivitetet me rrezik të lartë.
Inspektimet do të realizohen në mënyrë intensive, përfshirë edhe gjatë ditëve të festave dhe jashtë orarit të rregullt të punës. Në rastet kur konstatohet mosrespektimi i masave bazike të sigurisë dhe shëndetit në punë, subjektet do të përballen me ndalim të menjëhershëm të aktivitetit, vendosje të shenjave bllokuese, si dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, parashihen procedura për pezullim të përkohshëm të veprimtarisë dhe masa të tjera ligjore, deri në përmbushjen e kërkesave të rekomanduara, thuhet në vendim.
Megjithatë, edhe pse u paralajmëruan inspektime rigoroze, duket se kjo nuk mjaftoi që punëtori në Shtime të ketë mbrojtje adekuate.
