Pse Kosova u rendit e dyta në Evropë si vendi më i keq për të jetuar gratë?

Pse Kosova u rendit e dyta në Evropë si vendi më i keq për të jetuar gratë?

Sipas raportit të Indeksit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të vitit 2023 të publikuara sot vendi i dytë në Evropë më i keq për të jetuar si grua është vendi ynë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Nga ky raport mbetet të kuptohet se më keq se Kosova është vetëm Ukraina dhe Azerbajxhani.

“Vendet e dyta dhe të treta më të këqija për të qenë femra në Evropë janë Kosova dhe Azerbajxhani, përkatësisht”, thuhet në raport.

Ndërsa në ranglistën botërore Kosova qëndron në pozitën e 100-të. Në të dhëna janë matur përfshirja, drejtësia dhe siguria për gratë. Janë përdorur 13 matës nga shkollimi deri te ligjet e punësimit e tek perceptimi për sigurinë dhe dhunën.

Nëntë nga dhjetë shtetet më të mira të botës për të qenë grua janë në Evropë. Danimarka i prin listës, me trefish më shumë pikë se Afganistani që është vendi i fundit. Pas Danimarkës, në renditje janë Zvicra dhe Suedia.

Ukraina është e fundit në Evropë, nga 41 shtete, që performoi tejet ulët në sektorin e sigurisë, për shkak të luftës.

Sipas këtij raporti pikët e ulëta për Kosovën iu atribuuan shkollimit të dobët dhe nivelit të ulët të punësimit për gratë si dhe “niveleve shumë të larta” të vdekjeve të grave gjatë lindjeve.

Time Kadrijaj deputete e Kuvendit të Kosovës nga AAK

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila tha se publikimi i të dhënave të Indeksit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për këtë vit mund të përputhet vetëm me pjesën ku përmendet niveli i ulët i punësimit për gratë.

“Mendoj që numri i të punësuarve (femra) është më i vogël, pra po pajtohem me këtë”, tha Kadrijaj.

A duhet të kemi politika për punësimin gjinor?

“Ne si gra deputete të Kuvendit të Kosovës kemi punuar shumë sepse cilido projektligj që sillet në kuvend me pa sa i përket harmonizimit me ligjin për barazi gjinore, dhe si mundemi me ndihmua që të ketë barazi gjinore, dhe ja kemi arritur në shumicën e rasteve”, ka deklaruar ajo.

Deputetja Kadrijaj tutje ka shtuar se nuk pajtohet me “niveleve shumë të larta” të vdekjeve të grave gjatë lindjeve që u përmend në këtë raport.

“Nuk është numër i madhe i grave që kanë vdekur në lindje, pra nuk pajtohem aspak me këtë”, ka theksuar ajo.

Sipas saj nuk ka më familje që pengojnë në shkollimin e vajzave dhe nuk mund të pajtohem me këto shifra.

“Kosova është shteti më i ri, është vend që para 24 vite ka dal prej luftës, mirët si një vend pak më patriarkal dhe nuk e mendoj që tashmë ka familje që e pengon shkollimin e vajzave, nuk kam hasur që ka pengesa në shkollimin e vajzave”, tha Kadrijaj për “Enigmën”.

“Unë jam prej Deçanit por nuk hasi në këso problematika vetëm nëse vajzat nuk duan vet, por prapë se prapë pa e përfunduar shkollimin e mesëm nuk e ndërprejnë”, theksoi ajo.

Tutje Kadrijaj ka shtuar se në vendin tonë ka demokraci por nuk është në nivelin që duhet të jetë.

“A ka demokraci në vendin tonë? Unë mendoj që ka, a është sa duhet? Nuk mendoj që është në nivelin e duhur por megjithatë ka progres dhe ka ligje të mira për barazi gjinore, vetëm nevojitet implementimi i tyre”, ka deklaruar deputetja e AAK-së.

Arjeta Maka nga OJQ Gruaja Hyjnore

Ndërsa Arjeta Maka nga OJQ Gruaja Hyjnore në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se siguria i referohet gjendjes së të qenit i çliruar nga rreziku apo kanosja.

“Me sigurinë, të drejtat tuaja zbatohen dhe ju trajtoheni siç duhet nga institucionet shtetërore. Siguri nuk është thjesht mungesa e konfliktit të armatosur; ajo është mjedisi ku individët mund të prosperojnë. Siguria kërkon qasje në arsim dhe kujdes shëndetësor, kërkon vendosjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si edhe zhvillim ekonomik. Siguri do të thotë që të jesh i sigurt kur ecën në rrugë, të kesh ushqim të mjaftueshëm, të kesh mundësi të mbështesësh familjen tënde dhe t’i dërgosh si djemtë ashtu edhe vajzat në shkollë”, tha Maka për “Enigmën”.

Tutje ajo ka shtuar se krijimi i sigurisë është një proces i vazhdueshëm.

“Krijimi i sigurisë është një proces në vazhdim, ku qeveria, institucionet e sektorit të sigurisë dhe komunitetet, përfshirë gratë, luajnë që të gjithë një rol të rëndësishëm. Siguria ka domethënie të ndryshme për njerëz dhe institucione të ndryshme. Qeveritë shpesh përqendrohen tek aspektet që e bëjnë shtetin të sigurt – kufijtë e fortë, ushtria e fortë – por shumica e njerëzve përqendrohen tek e përditshmja e sigurisë për veten dhe për familjet e tyre”, ka deklaruar ajo.

A mund të mjekohesh në spital kur je i sëmurë? A të vjen në ndihmë policia, pa marrë ryshfet?

“Drejtësia është një pjesë e rëndësishme e sigurisë: Në rast se dikush kryen një krim, a del ky individ përpara drejtësisë? Në çdo komunitet apo vend, çdo person përjeton kanosje specifike ndaj sigurisë dhe ka përparësi të ndryshme për sigurinë”.

Sipas saj “vetë përkatësia gjinore e dikujt (së bashku me karakteristika të tjera si: klasa, përkatësia etnike/klanore/ fisnore/kasta dhe orientimi seksual) luan një rol të rëndësishëm në përvojën e tij/saj për sigurinë. Gjinia u referohet roleve, identiteteve”.

“Fuqizimi i komunitetit në nevojë është një proces (që përqendrohet te mënyra se si fuqizohet komuniteti) dhe një rezultat (që përqendrohet te ndryshimet që ai sjell në komunitet). Bashkëpunimi i komunitetit me struktura të ndryshme publike dhe jopublike është i domosdoshëm për të pasur një sistem efektiv. Ndryshimi i stereotipave dhe i vlerave të komuniteti të jetë e dukshme dhe e arritshme për publikun, ta njohë dhe të njihet nga publiku, t’u përgjigjet nevojave të komunitetit, të dëgjojë shqetësimet e komunitetit, të angazhohet dhe ta mobilizojë komunitetin, të japë llogari për veprimtaritë e saj dhe për rezultatet e këtyre veprimtarive”, ka deklaruar Maka. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles