Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje lidhur me masat e reciprocitetit që janë marrë sot karshi Serbisë nga shteti i Kosovës.
Kurti ka thënë se do të vlejë masa e ngjitësve në targa deri më datën 31 tetor.
“Me vendim të qeverisë sot rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë. Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”.
“Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Ky mekanizëm do të vlejë deri me 31 tetor 2022”, ka shkruar ai.
Mes tjerash, ai ka treguar se regjistrimi i targave për automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” do të fillojë me 1 gusht dhe do të përfundojë më 31 shtator.
“Ndërkaq përmes një vendimi tjetër në mbledhjen e sotme mundësuam regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë”, përfundoi Kurti.
Ndryshe, ndaj këtyre vendimeve të Qeverisë kanë reaguar edhe nga Serbia.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, ndërsa disa të tjerë nuk kanë qenë kurrë të gatshëm për një bisedë thelbësore dhe kanë mbështetjen e fuqive perëndimore”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
LEXO EDHE: Vuçiq pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës: E kanë mbështetjen e fuqive perëndimore
Ndërsa, edhe Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se “Albin Kurti hapur ka kërcënuar me luftë serbët në Kosovë”.