Veprimet e Qeverisë në Veri vlerësohen si pozitive, por kërkohet koordinim me SHBA-në dhe aleatët e tjerë

Veprimet e Qeverisë në Veri vlerësohen si pozitive, por kërkohet koordinim me SHBA-në dhe aleatët e tjerë

I gjithë fokusi i ekzekutivit kosovar muajt e fundit është orientuar kah komunat veriore të Kosovës, në të cilat kryheshin veprime të paligjshme në vitet e fundit. Autoritetet kosovare kanë marrë një sërë veprimesh në veri të Mitrovicës, në përpjekje për të ofruar siguri dhe ligj atje, si dhe integrim të serbëve lokalë në institucionet vendit, shkruan Gazeta Enigma.

Kthimi i pronave në veri për pronarët shqiptarë, mbyllja e strukturave paralele, mbyllja e bizneseve ilegale – siç ishte rasti me degën e Postës së Serbisë – hapja e bizneseve me pronarë shqiptar, janë disa prej veprimeve të ndërmarra në veri nga autoritetet, që u mbështetën nga akterët e brendshëm politikë, por u kritikuan nga ndërkombëtarët për mungesë kordinimi.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Gazetën Enigma se veprimet e Qeverisë Kurti atje janë legjitime, porse ai ngrit shqetësime se të njëjtat mund ta dëmtojnë shtetin e Kosovës, nëse nuk ka koordinim me aleatët.

“Veprimet dhe vendimet që i ka marrë qeveria Kurti atje, janë vendim legjitime mirëpo, ato duhet të përcillen edhe me veprime të cilat nuk e dëmtojnë shtetin e Kosovës. Pra, çdo vendim që është legjitim, duhet të implementohet në mënyrë të kujdesshme, në mënyrë që të mos dëmtohet shteti i Kosovës. E kam fjalën që këto veprime – meqenëse e kemi situatën si e kemi në veri – të jenë të koordinuara me partnerët tanë, dhe po ashtu të implementohen në mënyrë të kujdesshme, mirëpo gjithsesi janë veprime legjitime”, tha Qalaj në një prononcim për “Enigmën”.

Qalaj tha se edhe Ura e Ibrit duhet të hapet për automjete, por gjithmonë në koordinim me aleatët dhe KFOR-in.

“Unë mendoj se ura e Ibrit duhet të hapet, meqenëse ajo urë është e hapur për këmbësorë, mirëpo kjo urë duhet të hapet pa tensione, pa ngarkesa, në mënyrë të qetë, në koordinim me partnerët tanë, sidomos me pjesëtarë të KFOR-it, dhe kjo urë duhet të hapet pa një kompozitet, pra të jetë një veprim krejt normal, në mënyrë që mos të sjellë tensione… gjithsesi ne jemi për hapjen e urës”, deklaroi ish-Drejtori i Policisë së Kosovës.

Qalaj po ashtu tha se është në interes të Kosovës që institucionet të kenë pjesëtarë të komunitetit serbë.

“Ajo është pjesë e Kosovës por prapë po them se ne me veprimet tona në veri duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të kontribojmë që edhe të integrohet komuniteti lokal që është atje në institucionet e Kosovës, dhe duhet të jemi të kudesshëm të mos bëjmë veprime që pengojnë integrimin. Është në interes të Kosovës që inistitucionet të kenë është pjesëtarë të komunitetit serbë, qoftë në Policinë e Kosovës, qoftë në Prokurorinë e Kosovës, qoftë në komuna, pra ti kthehet normalitetit”.

Se koordinimi i Kosovës me Shtete e Bashkuara është kyç, e thotë edhe analisti politik Dritëro Arifi.

Ai për Gazetën Enigma shprehet se veprimet e Qeverisë Kurti në veri janë pozitive – “nëse i sheh veç bardhë e zi”.

Por Arifi thotë se të gjitha këto veprime nuk e kanë një plan strategjik.

“Gjithë këto veprime nuk e kanë një plan strategjik. Ne nuk e dimë rezultatin përfundimtar. Nuk e dimë çka po dëshirojmë me arritë, sepse integrimi bëhet në forma tjera, me një projekt të caktuar, ku ti i fton bizneset për me invstu, por bizneset të cilat i investojnë në veri duhet të kenë më shumë beneficione, pra nëse marrin më shumë punëtor serb…pra duhet pasur një plan më të zgjuar dhe më të detajuar. Këto janë ma shumë ‘harrnime’ sesa një planifikim. Kjo nuk është integrim sepse veriu është çështje e politikës dhe nuk është çështje ushtarake”, deklaroi Arifi.

Arifi thotë se suksesi në veri mund të kthehet në zhgënjim, nëse ka dëmtim të raporteve me SHBA-në.

“Çka nëse së shpejti mbahen zgjedhjet në veri, pra a do të vinë parti serbe dhe a do ta kemi të njëjtën qasje? Pra ka shumë të panjohura në këtë hipotezë. Pra, në momentin që raportet dëmtohen me SHBA-në, pavarësisht sa kemi parë sukses në veri, suksesi në fund mund të na zhgënjejë. Prandaj duhet ecur me këmbë në tokë, megjithëse ka suksese, askush nuk e mohon, por nuk është i qëndrueshëm. Kjo është krejt problematika, sa mund të jetë i qëndrueshëm pa ndihmën e SHBA-ve… kjo është pyetja më e madhe që duhet t’ua shtrojnë vetes si Qeveri”.

Opinionisti thotë se edhe nëse Kurti apo dikush tjetër merr mandatin si kryeministër i ardhshëm në zgjedhjet e 9 shkurtit, krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i paevitueshëm.

“Të gjitha veprimet që po i bën Qeveria Kurti janë pozitive, por këto janë pjesë e marrëveshjes, sepse në aneksin e Ohrit, të gjitha strukturat ilegale, duhet të konsiderohen ne Asociacion, pra ne po i mbyllim këto – që është e drejtë dhe e duhur ligjërisht – por gjitha këto do të rikthehen në asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse aty është arsimi shëndetësia dhe të gjitha tjerat. E ka të pamundur që ta shmangë çështjen e marrëveshjes së Ohrit dhe planit franko-gjerman”.

Për Asociacioni sot foli vetë kryeministri Albin Kurti, i cili tha se i njëjti mund të bëhet bashkë me njohje të ndërsjellë.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është diçka që unë e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Megjithatë kjo është pjesë e marrëveshjes bazike tash. Neni 7 thotë se komuniteti serb duhet të ketë vetmenaxhim. Në anën tjetër, neni 10 thotë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen, kështu që unë s’e mohoj këtë. Sidoqoftë vetëm si pjesë të pakos së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se nuk mund të zgjidhet vetëm njëra prej 39 marrëveshjeve me Serbinë, siç tha ai, “sikur të jetë tavolinë suedeze dhe as ta vendosni përpara marrëveshjes bazë”.

Tutje shefi i qeverisë ka thënë se nuk është kryeministër vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë, pra edhe për minoritetet. “Ne kemi 93 për qind të popullsisë shqiptarë, por unë nuk jam kryeministër vetëm për shqiptarët. Ne kemi 4 për qind serbë dhe 3 për qind minoritete të tjera. Ata kanë ulëse në parlamentin tonë. Parlamenti ynë ka 120 ulëse – 10 prej tyre janë të rezervuara për serbët dhe 10 për minoritetet e tjera. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar kryeministri. /Gazeta Enigma






Related Articles