Pas vendimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, në media u raportua se kjo rritje nuk vlen për komunat veriore, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kjo çështje ngjalli reagime të shumta në publik.
Kompania “Elektrosever”, e ka konfirmuar se rritja prej 16.1% për komunat e Kosovës nuk vlen edhe për komunat veriore.
“Informacioni se çmimet e energjisë elektrike në Kosovë po rriten me 16.1 për qind nuk vlen për katër komunat veriore, pra për konsumatorët që ne i furnizojmë me energji elektrike,” thuhet në deklaratën e tyre, të cituar nga Kossev.
Në lidhje me këtë çështje, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar ZRrE-në, nga e cila është deklaruar se vendimi i 16 prillit zbatohet vetëm për furnizuesin me shërbim universal në Kosovë, që është KESCO.
“Vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i datës 16 prill 2025, që parasheh rritjen e tarifave të energjisë elektrike, zbatohet për furnizuesin me shërbim universal në Kosovë, që është KESCO. Ky vendim përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO në territorin e Kosovës,” thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
Tutje, nga ZRrE është theksuar se katër komunat veriore furnizohen me energji elektrike nga “Elektrosever”, kompani e cila është e licencuar nga ZRrE-ja, por që nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal).
Me këtë deklaratë, ZRrE-ja ka konfirmuar se katër komunat veriore do të furnizohen me energji elektrike pa rritje të çmimit, pasi në deklaratën e tyre më lart është theksuar se ky vendim zbatohet vetëm për furnizuesin me shërbim universal në Kosovë, që është KESCO, ndërsa “Elektrosever” nuk e ka të drejtën për shërbim universal.
“Sa i përket konsumatorëve në katër komunat veriore (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe pjesë të Mitrovicës Veriore), ata furnizohen nga kompania ‘Elektrosever’. Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRrE-ja, por ndryshe nga KESCO, nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal). Për këtë arsye, Elektrosever ka përgjegjësi të paguajë tarifat për përdorimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes, të cilat përcaktohen nga vendimi i Bordit të ZRrE-së. Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRrE-së,” deklaruan nga ZRrE për Gazetën “Enigma”.
“Prandaj, vendimi i 16 prillit i ZRrE-së ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës,” thanë nga ZRrE-ja.
Zeqiri kundër shtrenjtimit të rrymës
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka folur për mosshtrenjtimin e rrymës në veri. Tutje, Zeqiri ka deklaruar se kjo rritje nuk vlen për komunat veriore, pasi furnizimi atje bëhet përmes një marrëveshjeje mes KEDS-it dhe Elektroseverit.
“Nuk vlen për komunat veriore, përfshirë edhe Zubin Potokun, sepse furnizimi atje bëhet përmes marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit,” tha Zeqiri për “Enigmën”.
Sipas tij, ky vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është i pakuptimtë dhe i padrejtë, duke shtuar se shtrenjtimi nuk duhej të ndodhte askund.
“Kjo rritje e rrymës është shumë e pakuptimtë. Elektroseveri ka konfirmuar se nuk do të ketë shtrenjtim në veri – por realisht, nuk është dashur të shtrenjtohet askund,” deklaroi ai.
Zeqiri tutje ka theksuar se “në bazë të informacioneve që ka publikuar Elektroseveri dhe për bashkëpunimin e tyre me KEDS-in, tek ne nuk ka shtrenjtim të rrymës.”
Avokati i Popullit kërkon nga ZRrE-ja pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të rrymës
Zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e përkohshëm të vendimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%.
“Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e vendimeve që kanë të bëjnë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike (V_2697_2025 dhe V_2698_2025), deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve,” thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, ata kanë njoftuar se “Avokati i Popullit thekson se vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë ngre shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë.”
“Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët,” kanë deklaruar nga zyra e Avokatit të Popullit.
Kjo masë e përkohshme është vendosur ndaj vetë ZRrE-së, e cila më pas mund të vendosë nëse do t’i përmbahet të njëjtës, ose në të kundërtën, Avokati i Popullit e dërgon rastin në gjykatën kompetente.
“Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes së barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike. Vendimet që prekin në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohë kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror.”
Avokati i Popullit thekson nevojën që organet e pavarura si ZRrE-ja duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse. / Gazeta Enigma