Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, Nexhmedin Gruda, ka dhënë detaje për gjendjen e krijuar pas vërshimeve në këtë komunë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Gruda në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se gjendje është e qetë në këto momente.
Tutje ai ka shtuar se qytetarët janë drejtuar në këtë komunë për ndihmë dhe kanë bërë kërkesa për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
“Sot, gjendja është e qetë, vërshime nuk kemi ndërsa qytetaret kane filluar të bëjnë kërkesat për Komisioni Komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera që të bëjnë vlerësimin e dëmeve nga reshjet e shiut dhe breshëritë”, tha Guda për “Enigmën”.
Sipas njoftimit nga Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës gjatë kësaj jave pritet të ketë vërshime në vend, e sidomos në rajonin e Drenicës.
“Sipas njoftimit të datës 12.06.2023, pranuar nga Institut Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë dhënë një paralajmërim për vërshime/përmbytje i cili mund të ndodhë nga data 12.06.2023 dhe nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim e sidomos në rajonin e Drenicës”, ka deklaruar Guda.
Tutje ai ka theksuar se “Komuna e Drenasit i ka paraprijë këtij rreziku nga të reshurat, pasi që ka bërë rregullimin, pastrimin dhe zgjerimin e lumit Drenica dhe Vërbica dhe gjitha përrockave që lidhen me këta dy lumenj dhe fatmirësisht kjo ka ndikuar pozitivisht dhe është mënjanuar rreziku nga vërshimet”.
Kujtojmë se të dielën pas reshjeve të dendura të shiut në disa zona të Komunës së Drenasit janë paraqitur vështirësi në kalimin e lirë të veturave./GAZETA ENIGMA/