Subjektet politike dhe kandidatët do të kenë 5 ditë kohë të zhvilluar fushatën zgjedhore.
Kështu ka bërë të ditur, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas tij, KQZ-ja ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen aktivitetet që do të realizohen nga ky institucion për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve.
KQZ deri më tani nuk ka shpallur rezultatet përfundimtare për Kryetarë të Komunave dhe zyrtarisht ende nuk është mbyllur procesi i raundit të parë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që do të realizohen nga KQZ për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve. Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, tha Elezi.
Ai ka njoftuar gjithashtu se për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës, në komunat përkatëse ku do të ketë raund të dytë, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës.
“Për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës. Ky votim fillon më 29 tetor. Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, tha Elezi.
Elezi ka treguar edhe se sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve të këtij raundi, KQZ-ja ka vendosur që subjektet politike garuese, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe mediet të konfirmojnë listat me vëzhguesit që duan t’i angazhojnë sërish, si dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë.
Aplikimi për akreditim të vëzhguesve shtesë të subjekteve politike, OJQ-ve, vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave, fillon më 28 tetor dhe përfundon më 8 nëntor. /Gazeta Enigma.