Edhe 26 ditë kohë për të garantuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Policia e Kosovës pa asnjë përgjigje

Edhe 26 ditë kohë për të garantuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Policia e Kosovës pa asnjë përgjigje

Kanë mbetur edhe 26 ditë deri kur Policia e Kosovës mund të garantojë për lirimin e ish krerëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo pasi Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë një dritë të gjelbër për një lirim të mundshëm nga paraburgimi i Gucatit dhe Haradinajt. Derisa, nga ky organ kanë njoftuar se Policia e Kosovës ka afat kohor deri më 26 nëntor të garantoj për ish krerët e OVL-UÇK-së.

“Policia e Kosovës të ofrojë informacion lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Gucatit dhe Haradinajt. Trupi gjykues II urdhëroi policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor 2021 të ofrojë informacion, ndër të tjera, lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

LEXO EDHE: Kërkesa e dytë e Speciales kundrejt Policisë së Kosovës – A po lirohen nga Haga, Gucati e Haradinaj?

Ndërsa, ushtruesi i detyrës si Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë një deklaratë javë më parë në Komisionin Parlamentar për Siguri.

“Ne kemi pasur kërkesë nga avokatët, dhe jemi përgjigjur se kemi kapacitete për secilin vendim. Për Dhomat e Specializuara iu lus të na kurseni neve, dhe ta pyetni Gjykatën”, kishte thënë Mehmeti në mbledhjen e 12 tetorit.

Në bazë të kësaj deklarate nga Mehmeti, Policia e Kosovës shprehet e gatshme për plotësimin e çfarëdo kërkese që vjen nga Specialja, ani pse të njejtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje për Gazetën “Enigma” sa i përket kësaj çështje.

LEXO: A po heziton Policia e Kosovës t’i përgjigjet Speciales për ofrimin e garancisë për rastin e Gucatit dhe Haradinajt?

“Policia është e obliguar t’i jap sqarime Gjykatës Speciale”

Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma”, avokati Skënder Musa, derisa potencoi se në Ligjin për Gjykatën Speciale parashihet se të gjitha institucionet në Kosovë, përfshirë edhe Policinë, janë të obligueshme t’i përgjigjen Gjykatës Speciale apo Dhomave të Specializuara.

Mirëpo, se a do t’i përgjigjet Policia kërkesës së Speciales, Musa theksoi se sipas tij Policia duhet ta bëjë një gjë të tillë.

“Unë besoj që Policia brenda afatit ligjor do të përgjigjet, përndryshe mund ta përsërit urdhërin, por mund të ketë edhe pasoja tjera ligjore për personat zyrtar që nuk i zbatojnë urdhërat e Gjykatave”, shprehet tutje Musa.

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Anton Nrecaj gjatë një interviste për Gazetën “Enigma”, ka thënë se para së gjithash që të kuptohet qartë kërkesa e Speciales, duhet bërë dallimi i procesit të gjykimit të Gucatit e Haradinajt, me atë të Thaçit dhe të tjerëve.  

“Z. Gucati dhe Haradinaj nuk akuzohen për krime lufte por për veprën penale për pengim të procesit gjyqësor ndaj z. Thaqi dhe të tjerët, d.m.th. për shkak të publikimit dhe rrjedhjes së informacioneve të dëshmitarëve potencialisht dëshmitar të mbrojtur dhe dy të akuzuarit është dashur qe ndaj tyre të vazhdoj procesi gjyqësor jo në paraburgim, por që procesi i tyre të vazhdoj mbrojtje në liri”, ka thënë ai.

Sipas tij “Është vërtet për t’u habitur se si Policia e Kosovës akoma nuk është në gjendje që Gjykatës Speciale t’i ofroj garanci jo vetëm në rastin e Gucati dhe Haradinaj por dhe të tjerëve”.

Ndryshe, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020. /Gazeta Enigma/.

Related Articles