Për rreth katër orë, drejtuesit dhe aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë “bllokuar” korridoret e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), duke kërkuar që t’iu jepen dokumentet zyrtare si erdhi deri te shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Kamera e Ekonomia Online ka qenë prej fillimit të aksionit protestues dhe sjell një përmbledhje të ngjarjeve tensionuese, që përfunduan me arrestimin e kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe 12 zyrtarëve të tjerë.
Anëtarët e PSD-së janë konfrontuar verbalisht me kryesuesin e Bordit të ZRrE-së, Ymer Fezullahu; ua kanë ndalë siguresat e rrymës që gjendeshin në korridor; si dhe ua kanë marrë çelësat e zyrave disa punonjësve, duke ua pamundësuar hyrjen në zyra.
Rreth orës 15:00, ka ndërhyrë policia dhe ka arrestuar 13 zyrtarë, përfshirë kryetari Dardan Molliqaj.
Pak minuta para se të arrinin Njësia Speciale, kreu i PSD-së ka pasur një konfrontim mes një zyrtar policor.
Policia i tha kreut të PSD-së se aksioni është vepër penale dhe iu bëri thirrje t’i lirojnë zyrat. Nga ana e tij, Molliqaj ia kërkoi urdhrin. “Ma jep urdhrin se duhet ta lëshojë këtë objekt”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar 13 persona, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës.
“Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur”, thuhet në njoftimin e PK-së.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, theksohet në njoftim.
PSD ka reaguar pas arrestimeve të 13 anëtarëve të saj,përfshirë kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë aksionit të sotëm brenda zyrave të ZRrE-së në Prishtinë.
Në mesin e të arrestuarve janë dhe nënkryetari Zgjim Hyseni; sekretarja e Përgjithshme, Teutë Rrusta; sekretari Organizativ, Nol Nushi; zëdhënësja Natyra Kuçi, anëtari i Kryesisë, Frashër Krasniqi etj.
“Protesta e jonë sot pranë zyrave të ZRrE-së kishte vetëm një qëllim – që vendimi përmes së cilit është bërë rritja enorme e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.
PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të kryetarit Molliqaj dhe të aktivistëve të tjerë. “Arrestimi i tyre përbën një veprim që kundërshton të drejtën për të protestuar dhe kërkuar që vendimet që na prekin të gjithëve të mos qëndrojnë të fshehura publiku”.
“Protesta jonë e sotme ishte kërkesë për transparencë. Kjo mungesë transparence po minon çdo mundësi që t’i kundërvihemi padrejtësisë sociale të tarifave të reja të energjisë. Për më tepër, mospublikimi i këtij vendimi bie ndesh edhe me legjislacionin në fuqi”, thekson PSD.