Mostra të personave të dyshuar se janë infektuar me Omicron dërgohen në Gjermani, shkruan Gazeta ‘Enigma’
Disa mostra të qytetarëve nga Kosova që dyshohet se janë infektuar me virusin më të ri Omicron janë dërguar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në Gjermani.
Këtë e kanë konfirmuar burime brenda IKSHPK-së, por s’kanë treguar për sa mostra bëhet fjalë.
“E di që janë dërguar disa mostra në Gjermani, por nuk e di sa vonohen pasi duhet kohë”, thotë shkurt ky burim brenda IKSHPK-së.
Në anën tjetër, sipas infektologut Hamdi Ramadani, për t’u mbrojtur nga ky virus qytetarët duhet të vaksinohen.
“Ardhja e mërgimtarëve në fund të këtij muaji në kohë të festave do të shtoj mundësinë që të përhapet infeksioni edhe më shumë, sidomos nëse nuk jemi të imunizuar”, ka theksuar Ramadani.
Ai ka kërkuar që të fillojë edhe dhënia e dozës së tretë e vaksinës, “pasi na mbron nga infektimi me virusin Omicron dhe kjo është rruga e vetme e mbrojtjes së qytetarëve nga të gjitha viruset”.
MSH: Varianti “Omicron” duhet të merret seriozisht, ka shumë të panjohura
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se edhe ky variant, sikurse gjithë të tjerët, duhet të merret seriozisht.
“Omicron” ka ende shumë të panjohura dhe se çdo shtet është i rrezikuar nga ky variant i virusit COVID-19.
“Çdo variant i SARS COV-2 duhet të merret me seriozitet, e gjithashtu edhe varianti Omicron për të cilin ende ka shumë të panjohura. Çdo shtet është i rrezikuar nga ky dhe variantet e tjera të virusit SARS COV-2, prandaj duhet ndërmarrë masa parandaluese duke kombinuar qasjen: zbatim i masave ne fuqi dhe vaksinim i popullatës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga kjo ministri shtuan se aktualisht në Kosovë është situatë e qetë epidemiologjike, por që duhet të ketë kujdes maksimal.
“Kosova, këtyre ditëve ka një situatë të qetë epidemiologjike sa i përket COVID-19, por kjo situatë mund të jetë e brishtë dhe duhet kujdes maksimal, pa panik, për të qenë të gatshëm për ballafaqim me cilindo skenar të zhvillimit të ngjarjeve”.
“Janë ndërmarrë edhe masa të reja të cilat hyjnë në fuqi nga 6 dhjetori, derisa thirrja kryesore për popullatën është që të vaksinohen ata që se kanë bërë ende, ndërsa qytetarët që e kanë marrë vetëm një dozë, ta marrin sa më parë edhe të dytën, derisa pritet që së shpejti të fillojë edhe administrimi i dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19”.
OBSH: Omicron ende nuk ka shkaktuar asnjë vdekje
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se deri tani nuk është raportuar ndonjë vdekje që lidhet me variantin e ri të Coronavirusit, Omicron, variant ky që është detektuar në pothuajse 40 shtete të botës.
OBSH-ja ka thënë se më tre dhjetor ende duhet kohë për të kuptuar se sa infektues është ky variant, nëse shkakton sëmundje më të rënda dhe sa janë efektive trajtimet dhe vaksinat kundër Omicronit.
Edhe pse të dhënat e para sugjerojnë se varianti është jashtëzakonisht infektues.
Varianti Omicron, është identifikuar në nëntor në Afrikën e Jugut dhe mund të shkaktoj simptoma më të buta sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta që është dominues në mbarë botën./Gazeta Enigma/