Zgjedhje e planifikuara të mbahen në veri në prill të këtij viti po mbahen peng i interesave politike të grupeve të caktuara. Ndonëse KQZ-ja i ka certifikuar tashmë kandidatët që do marrin pjesë në këto zgjedhje, nga Lista serbe tashmë janë deklaruar se nuk do marrin pjesë, shkruan Gazeta “Enigma”
Përkundër deklarimeve ku shprehin keqardhje se Lista serbe nuk do ta shfrytëzoj të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, nga bashkësia ndërkombëtare nuk janë treguar më të zëshëm.
Në një përgjigje për Gazetën, nga Bashkimi Evropian kanë theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes në zgjedhje.
“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.
Ndërkohë Violeta Haxholli, nga KDI, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka hedhur poshtë gjasat që të arrihet ndonjë kompromis midis Qeverisë dhe përfaqësuesve të Listës serbe.
“Deri më sot nuk duket që ka përpjekje për tu arritur ndonjë kompromis mes Qeverise dhe përfaqësuesve politik nga komuniteti serb. Meqë Lista serbe nuk ka aplikuar për regjistrim tanimë pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e prillit proceduralisht nuk është e mundur. Përpjekjet për tu arritur një marrëveshje politike do te duhej te zhvilloheshin para afatit te regjistrimit”, ka thënë ajo.
Kurse e pyetur se a po cenohet ligjshmëria e institucioneve me mos mbajtjen e zgjedhjeve, Haxholli ka thënë se “Deri m2 tani nuk ka ndonjë vendim të institucioneve që zgjedhjet mos të mbahen. Sot KQZ i ka certifikuar kandidatet që do të marrin pjesë dhe proceduralisht nuk ka asnjë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve”.
Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.
Ndërkaq, Lista Serbe, ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
Çështja e formimit të Asociacionit duhet të zgjidhet me Marrëveshjen drejt normalizimit, të mbështetur nga BE-ja, të cilën e kanë pranuar edhe Kosova, edhe Serbia.
Vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen drejt normalizimit, por ende nuk dihet se për çfarë saktësisht bëhet fjalë. / Gazeta Enigma.