Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot në zyrën e tij Gjeneral Jörg Rüter, Drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NATO Advisory and Liaison Team – NALT).
Gjenerali Rüter uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe përgjegjësinë e re.
Kryeministri Kurti e falënderoi për urimin dhe shprehu mirënjohjen për rolin e NALT-it në përkrahje të organizatave të sigurisë në Kosovë.
Kryeministri Kurti shprehu rëndësinë e sigurisë dhe paqes në rajon, për mbarëvajtjen e aktiviteteve stërvitëse të përbashkëta të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me trupat e vendeve aleate në kuadër të “Defender Europe 21” të udhëhequr nga ShBA-të, si dhe përgatitjen e ushtarëve FSK-së. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për këtë institucion.
Gjenerali Rüter siguroi mbështetjen e vazhdueshme të NALT-it për Forcën e Sigurisë së Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve brenda mandatit të NALT-it.