Të premten, shtetet e QUINT-it kërkuan nga qeveria e Kosovës që kjo e fundit të lejojë OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Por kjo thirje u kundërshtua nga Qeveria e Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendësministri të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti i cili ka thënë se kërkesa e Serbisë për mbajtjen e referendumit ndryshe nga dy opsionet e ofruara nga Qeveria e Kosovës, është vetëm pretekst për destabilizim eventual të Kosovës dhe rajonit.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti të premten u takuan me ambasadorët e QUINT-it, ku dolën me deklaratë të përbashkët duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.
Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri ftesë për mbajtje të një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë.
Si e vlerëson opozita vendimin e Qeverisë ?
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetues.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Njëherit, ai ka shtuar se “ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj”.
Krasniqi i bënë thirrje Qeverisë për të ofruar zgjidhje si shtet i pavarur dhe sovran.
“Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka përfunduar Krasniqi.
Ndërsa Artan Behrami, ish-këshilltari i Hashim Thaçit në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për moskoordinim paraprak me aleatët e Kosovës, për të mundësuar organizimin e referendumit Serbë në Kosovë.
Ai konsideron se vendi gjendet në një situatë të rrezikshme e të paparashikueshme.
E gjithë kjo sipas tij po ndodh për shkak të keqmenaxhimit të Qeverisë Kurti.
“Mendoj që është keqmenaxhim i Qeverisë Kurti meqë në të kaluarën çështje të tilla janë diskutuar me partner dhe aleatët strategjik të Kosovës me ShBA-të dhe janë gjetur zgjidhje. Zotëri Kurti dëshiron konflikt dhe jo dialog. Jemi para një situatë kogja të rrezikshme. Nëse serbët insistojnë të mbajnë referendumin e tyre dhe ne të dërgojmë atje Njësite Speciale”, ka theksuar Behrami.
“Kjo çështje është dashur të diskutohet me dialog me ShBA-të”
“Çfarë pamje i dërgojmë botës kur Njësia Speciale e Kosovës intervenonte qytetarët civil të cilët dëshirojnë të votojnë. Është shumë vështirë që pamje të tilla me ia shpjeguar botës. Ai është dashur që këtë ngjarje e cila do të mbahet të dielën ta diskutojë përmes një dialogu të mirëfilltë me ShBA-të në mënyrë që të mos vijmë në situata të tilla të cilat mund të ndezin situata të paparashikueshme”, ka deklaruar ai.
Beharmi ka komentuar edhe letrën e sekretarit të ShBA-së, Antony Blinken dërguar kryeministrit Kurti. Në letrën dërguar kryeminsitrit Kurti, zyrtari amerikan ka kërkuar nga ky i fundit që të fokusohet në çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë rreth dialogut me Serbinë, arritjen e marrëveshjes së energjisë në veri dhe trajtimin e çështjes së të pagjeturve.
Për këtë, sipas Behramit, Kosova ka të bëjë me një Qeveri, e cila është e izoluar në raport me ShBA-në duke shtuar se ka vetëm shkëmbim letrash dhe jo vizita zyrtare.
“Ne kemi të bëjmë me një qeveri e cila është e izoluar në raport me ShBA-në. Çdo kryeministër i Kosovës vizitat e para që ka bërë ka qenë me ShBA-në ku është takuar të paktën me sekretar të shtetit”
“Tani kemi përmbysje të gjitha marrëdhënieve që kemi ndërtuar me ShBA-të ku zotëri Kurti nuk dëgjon fare se çka mendojnë ata dhe ku Kurti injoron kërkesat e tyre legjitime. Tani në vend se të kemi vizita ne kemi vetëm letra”, ka cituar ai.
Ndërsa ka shtuar se presioni amerikan ndaj qeverisë Kurti mund të rritet.
“Kjo situatë është dobësim i madh i raportit tonë me ShBA-të. Presioni amerikan ndaj qeverisë Kurti do të rritet meqë durimi i tyre ka përfunduar. Tash e tutje nuk lejohen politika që kanë ndodhur edhe në të kaluarën por do të ketë edhe sanksione ndaj atyre që nuk përfillin rreziqe që ekzistojnë”
“Ne duhet të shohim se çfarë është duke ndodhur në botë sepse krizë në Ukrainë dhe kemi një konflikt të hapur ndërmjet perëndimit dhe Kurtit. Dhe tani ne të dalim të konfrontohemi me ShBA-të në këtë rast po marrim anë jo nga perëndimi por nga lindja”, ka theksuar Behrami.
A do të marr pjesë opozita në seancën e jashtëzakonshme?
Si partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.
Sipas tyre, seanca është e panevojshme, ani pse mbajtja e këtij referendumi në Kosovë përben shkelje të sovranitetit dhe rendit kushtetues.
“PDK e sheh krejt të pa nevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë se akoma nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti për referendumin serb.
“LDK-ja është në konsultime të brendshme dhe Grupi Parlamentar i saj po shqyrton të gjitha kërkesat dhe nevojat dhe në konsultim final kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të japë fjalën finale rreth pjesëmarrjes së LDK-së në seancë”
“Kjo seancë nga ne duhet të shihet që kryeministri dëshiron ta fshehë rolin e tij prapa Kuvendit, pra ta pjesëtojë përgjegjësinë e tij karshi këtij procesi të rëndë me Kuvendin e Republikës, që dallon nga angazhimet e tjera politike dhe proceset që Kosova ka pasur deri tash”, ka deklaruar Haziri.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në këtë seancë.
Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka ka thënë se do të marrin pjesë të shtunën në seancë ku do të diskutohet për referendumin serb në territorin e Kosovës.
Por nga ana tjetër kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i ka bërë thirrje opozitës që të mos marrë pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri Kurti.
Ai nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook është deklaruar, se sipas tij nevojat e Kurtit nuk janë edhe nevojat e shtetit të Kosovës.
“Qëllimet e Qeverisë nuk janë edhe aspiratat e qytetarëve të vendit. Ndërsa, koncensusi politik i shërben vetëm metodave perfide të Kryeministrit. Ai ka nevojë për një opozitë që i rri gatitur. Gabimet e partive opozitare, bërë në të kaluarën, nuk guxojnë ta përcaktojnë as shantazhojnë rrugëtimin e subjekteve politike”, ka shkruar Molliqaj.
“Mendësia e “mëkatit fillestar” duhet ndërprerë. Kjo logjikë merr pengje. Veprimi i lirë është jashtë koordinatave të vendosura nga pushteti obstruksionist. Skenaret e Kurtit e defaktorizojnë opozitën dhe e ngulfasin të ardhmen”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se të shtunën në ora 14:00 do të mbahet seanca ku diskutohet mbi këtë çështje. / Gazeta “Enigma”/