Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë të hënën se 10 milionë euro është vlera e dëmeve të shkatuar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Nura për Euronews Albania ka thënë se janë 10 fshatra dhe qyteti të përfshira nga vërshimet.
“Kryesisht, janë 10 fshatra që janë goditur, përfshirë qyteti i Skënderajt. Është dëmtuar jashtëzakonisht infrastruktura publike. Bëhet fjalë për 11 ura të shkatërruara totalisht, jashtë përdorimit. Rrugë, ekonomi familjare, biznese, ekonomi bujqësore, ku vlerësimi është 10 milionë euro dëme në total.” – tha Nura.
Ai ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën e dhënë.
“Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili më ka marrë në telefon dhe ka ofruar gatimshërinë. Njëkohësisht, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, i cili ka bërë hapa të caktuar në drejtim të ofrimit të ndihmës, përmes Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila ka ofruar gjendje gatishmërie afër kufirit me Kosovën.” – theksoi Nura.