4 Korriku: Festë në Amerikë, kujtim e mirënjohje në Kosovë

4 Korriku: Festë në Amerikë, kujtim e mirënjohje në Kosovë


Më 4 Korrik Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 249 vjetorin e Pavarësisë, kjo ditë është historike për popullin amerikan por, edhe për aleatët e ShBA-së, siç është Kosova, shkruan Gazeta Enigma.

Për Kosovën kjo datë simbolizon miqësinë e thellë dhe të pazëvendësueshme me dekada me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë kontribuar dhe kanë pasur një rol vendimtar në pavarësimin, ndërtimin dhe çlirimin e shtetit kosovar.

Nga ambasada amerikane në Kosovë, me rastin e 249 vjetorit të pavarësisë së ShBA-s, ritheksuan angazhimin e tyre për një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë, “së bashku me miqtë tanë kosovarë”.

“Sot, Shtetet e Bashkuara festojnë frymën e patundur të lirisë, guximin e themeluesve tanë dhe forcën e demokracisë sonë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e 249-të të Pavarësisë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë — së bashku me miqtë tanë kosovarë”, shkroi ambasada amerikane.

Kurse e para e shtetit, Vjosa Osmani uroi 4 korrikun, siç tha ajo “Nga populli më pro-amerikan në botë”. Edhe liderët vendor dhe politikan tjerë sot theksuan rëndësinë e marrëdhënieve midis Kosovës dhe ShBA-së.

Por, si qëndrojnë sot raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Akri Çipa, vlerëson se lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, momentalisht është në një fazë ‘maturimi’.

“Duke marrë parasysh dhe ndryshimet që ndodhin prej zëvendësimeve të natyrshme të administratave amerikane dhe të prioriteteve të politikës së jashtme, personalisht raportet Kosovë-SHBA i shoh në një fazë maturimi. SHBA vazhdon të mbetet një partner i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për Kosovën në aspektin politik, diplomatik, të sigurisë, e më gjerë. Marrëdhënia ndërmjet dy vendeve mbetet strategjike dhe e fortë, por sigurisht nuk është e paprekshme dhe kërkon një qasje intuitive të lartë në nivelin e lidershipit dhe të të gjithë kastës politike në Kosovë”, u shpreh Çipa për Gazetën Enigma.

Tutje, eskperti theksoi se i vetmi rrezik që Kosova mund ta ketë është mungesa e vizionit strategjik karshi ShBA-së.

“Rreziku i vetëm është nëse Kosova nuk ka qartësi në vizionin e saj strategjik: çfarë kërkon nga ky partneritet dhe si e përcakton vetveten në arenën ndërkombëtare. Sikurse historia e rishtë e ka bërë të qartë, asnjë përpjekje për forcimin e shtetësisë, sigurisë apo subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk ka pasur sukses pa përfshirjen dhe mbështetjen amerikane. Në një situatë ndërkombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme, është interes i rëndësisë parësore për Kosovën që ta ruajë dhe thellojë këtë marrëdhënie, duke dëshmuar seriozitet, përkushtim dhe kapacitet për të vepruar si një aktor dhe partner serioz. Në këtë mënyrë do mund të avancojë jo vetëm në proceset integruese, por edhe do të arrihen objektivat madhore që paraqet interesi kombëtar”, përfundoi ai.

Por, ndryshe mendon ish-ambasadori i Kosovës, Avni Arifi, i cili vlerëson se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të shtetit marrëdhëniet me ShBA-të nuk janë siç kanë qenë më herët.

“Raportet ShBA-Kosovë duhet të shikohen drejtë. ShBA nuk ka ndërruar objektiv që nga fjalimi i Klintonit në vitin 1999, kur i është drejtuar popullit amerikan se do të bombardonte Serbinë. Që nga atëherë Shtete e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar për një Kosovë sovrane, multietnike të integruar në të gjitha strukturat Euroatlantike. Që nga ardhja e Kurtit, mesazhet që janë transmetuar atje kanë qenë se Kosova tani do të gjejë rrugë të re, se ne nuk jemi sevil dhe se tani jemi sovran e nuk na duhet më Amerika, e shumë mesazhe të tjera duke përfshirë veprimet e shumta pakoordinim të Qeverisë Kurti. Ju kujtohet kur ambasadori Hovenier deklaroi se ‘ne jemi miq me popullin e Kosovës’ me çka nënkuptonte jo me ‘Qeverinë e saj'”, deklaroi Arifi në një përgjigje për Enigmën.

Arifi kritikon komunikimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe ministres së Jashtme në detyrë Donika Gërvalla – sipas tij me këta dy zyrtarë marrëdhëniet janë afër zeros.

“Aktualisht ShBA vazhdon të mbrojë Kosovën, por, kominikimime Kurtin apo me ministren Gërvalla pothuajse janë afër zeros. Kosova nuk duhet të ketë kryeministër që ka raporte me ShBA-në çfare i ka Kurti sot me ta”, përfundoi Arifi.

Edhe analisti politik, Xhevdet Pozhari potencoi se problemi kryesor në Kosovë nuk qëndron te raportet me SHBA-në të cilat mbeten të rrënjosura por, siç thekson ai “te gjuha e lehtë akuzuese që përdoret nga subjektet politike”.

“Në Kosovë problematike mbetet lehtësia e gjuhës akuzuese midis partive politike, e jo raportet të cilat janë të rrënjosura përjetësisht, bashkë me orientimin demokratik dhe pro-perëndimor të shtetit të Kosovës”, deklaroi Pozhari.

Ai përmendi si pozitive marrëveshjen në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila sipas tij rikonfirmoi miqësinë dhe aleancën mes dy vendeve./GAZETAENIGMA/

Related Articles