Sot shënohet dita e mësuesit, 7 marsi me ç’rast nderohen të gjithë mësimdhënësit dhe ngritet ndërgjegja për rëndësinë e arsimit.
Këtë ditë ua ka uruar gjithë mësimdhënësve, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.
“SBASHK-u uron ditën e mësuesit të cilët janë duke dhënë në misionin e shënjtë të edukimit e arsimit të brezave”, ka thënë Rrahman Jasharaj për Gazetën Enigma.
Thirrja e SBASHK-ut për MASHT-in
Kryetari i kësaj sindikate i ka bërë thirrje MASHT-it dhe institucioneve që të ndajnë më shumë mjete për sistemin arsimor, me qëllim që sipas tij kushtet në shkolla të përmirësohen.
“SBASHK-u kërkon edhe në këtë datë të madhe nga ministria dhe institucionet që të ndajnë më shumë mjete për sistemin arsimor me qëllim që kushtet e punës në shkolla të përmirësohen dukshëm ngase edhe ky 7 mars punëtorët e arsimit i gjen kryesisht me mjete të punës si shkumsi e shpuza dhe me tekste shkollore që shpesh janë kritikuar nga ekspertët dhe të cilat nuk korrospondojnë as me kurrikulën”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj shprehet i sigurt që mësimdhënësit do të jenë më të mirë nesër se sot.
“Unë jam i sigurt që ata dëshirojnë që të jenë më të mirë nesër se sot, por të qenë të tillë duhet të jenë të ndihmuar, e jo të fyhet figura e mësuesit publikisht”, është shprehur ai.
Për nderë të kësaj dite, edhe ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar 7 marsin për të gjithë mësimdhënësit.
Ajo ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme e historisë kombëtare, e cila sipas saj shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Ndërsa misioni sot, sipas Nagavcit, mbetët këmbëngulja për angazhim drejt avancimit të mësimdhënies.
Në një video-mesazh, Nagavci ka thënë se është bërë punë e jashtëzakonshme dhe përpjekje e pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë.
“Të dashur mësimdhënës. Po shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 7 Marsin-Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision, sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet”, ka thënë Nagavci.
Ministrja e Arsimit ka thënë se mision mbetet këmbëngulja për angazhim drejt avancimit të mësimdhënies.
“Prandaj dhe kujtojmë me nderim të gjithë ato mësimdhënëse e mësimdhënës që i falën jetën arsimit shqipo ndër vite. Ndërsa sot misioni jonë mbetët këmbëngulja për punë dhe përkushtim, angazhim të gjithmbarshëm të mësimdhënësve tanë për të avancuar mësimdhënien dhe për ta bërë atë konkurrente me vendet e zhvilluara. Si mësimdhënëse dje dhe si ministre sot njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj, punën e mësuesit rezistues, reformues e frymëzues, do të vazhdoj të jem zëri juaj në përpjekjen për të bërë më të mirën për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.
Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Ndryshe, kjo datë ka zanafillën e hershme, që kujton themelet e para të shkollës shqip, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.