Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, pasi kishte përcjellur nga afër ndeshjet e fundit të sezonit vjeshtor të Superligës së Kosovës, të dy ekipeve nga Gjilani, FC Drita dhe SC Gjilani, njoftoi se do ti pret në takim përfaqësuesit e klubeve dhe tizofëve të këtyre dy ekipeve, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë ditës së enjte, Hyseni është takuar me përfaqësuesit e klubeve të futbollit, FC Drita dhe Sc Gjilani, përkatësisht Feti Murseli, Valon Zymberi dhe Sevdail Robelli, me të cilët ka diskutuar lidhur me procesin e përfundimit të projektit për rregullimin e stadiumit të qytetit.
Kryetari Hyseni, ka theksuar se janë duke punuar që ky projekt të përfundojë sa më shpejt, ndërkaq ka kërkuar nga punëkryesi që ta shtojë dinamikën e punimeve për këtë projekt tepër të rëndësishëm për Dritën dhe Gjilanin.
“Për këtë projekt jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë kryetari Hyseni.
LEXO EDHE: Alban Hyseni, nuk e meritojmë gjendjen aktuale të stadiumit
Ndërsa, përfaqësuesit e klubeve kanë falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen, duke shtuar se ky fakt dëshmon seriozitetin dhe dëshirën për përfundimin sa më të shpejt të projektit të stadiumit të qytetit, standardizimi i të cilit do të jetë mundësi e madhe për Dritën dhe Gjilanin.
Kurse, renovimi i Stadiumit të Gjilanit ka filluar qysh në vitin 2020 por ende nuk është përfunduar.
Qeveria kishte vendosur që të bartë 1 milion e 500 mijë euro nga viti 2021 për vitin 2022, ndërkaq ka planifikuar që shumë e njëjtë të ndahet edhe për vitet 2023 e 2024.
Këto mjete, sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, do të mund të ofrohen edhe gjatë vitit 2022 nëse Komuna arrin të kryejë punët. ‘Prandaj, na duhet ndryshimi më 14 nëntor’, kishte deklaruar Murati.
LEXO EDHE: Murati: Nëse Komuna kryen punë, Stadiumi i Gjilanit përfundohet në vitin 2022
/Gazeta Enigma/