Franca do ta marrë kryesimin e Presidencës së Bashkimit të Evropian nga 1 janari 2022.
Udhëheqjen e institucionit më të rëndësishëm të bllokut nga ajo po e konsideron pozitive për Kosovën spektri politik në vend, pozitë e opozitë.
Deputeti i VV-së, Agon Batusha, njëherit anëtar i Komisionit për Integrime në Kuvend, pret të lëvizin punët sa i përket liberalizimit të vizave.
Franca është njëra nga vendet bllokuese të këtij procesi.
“Përpjekjet tona si mazhorancë dhe si Qeveri janë që t’ju heqim gjitha dilemat apo hezitimin që kanë për liberalizim të vizave. Janë adresuar pothuajse gjitha çështjet e ngritura nga ta dhe kohëve të fundit kemi parë lëvizje pozitive në qëndrimin e Francës ndaj liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.
Këtë gjë nga ekzekutivi po e kërkon edhe opozita.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, megjithatë s`pret që Franca të ndryshojë mendje rreth regjimit të vizave për Kosovën deri në prill 2022.
“Mendoj që ndryshim të qendrimit të Francës sa i përket liberalizimit të vizave mund të ketë pas zgjedhjeve presidenciale në Francë, të cilat do të mbahen me datë 10 Prill 2022”, deklaroi ajo për “Front Online”, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Liberalizimi i vizave do të thotë lëvizje e lirë ne zonën Schengen.
Regjimi i tij mundëson udhëtim pa vizë vetëm deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) dhe jo leje pune apo të drejtën për të jetuar në ndonjërin nga shtetet, pjesë të zonës Schengen.
Shtetet në të cilat mund të udhëtohet pa viza janë ato të Bashkimit Evropian (Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Kroaci, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi). Pastaj në Islandë, Norvegji, Zvicër e Lihteshtajn.
Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Schengen./Gazeta “Enigma”/